Balluku mbledh Task Forcën për Naftën: Bankers dhe ALLUM marrëveshje për rifillimin e punës në Rafinerinë e Ballshit brenda qershorit

0
Gjigandi

Sektori i naftës është një nga sektorët me kontributin më të madh në buxhetin e shtetit, por situata e krijuar nga pandemia COVID-19 e ka dëmtuar rëndë financiarisht. Megjithatë lajme të mira duket se vijnë për ringritjen e këtij sektori, falë masave që ka ndërmarrë Qeveria Shqiptare.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mblodhi Task Forcën, e ngritur me urdhër të kryeministrit, për menaxhimin e situatës së krijuar në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës në vend, si rrjedhojë e pandemisë COVID-19.
Ministrja Balluku u shpreh se në bashkëpunim me të gjithë aktorët e fushës, Task Forca ka për synim mbarëvajtjen e sektorit duke nisur nga momenti i nxjerrjes së naftës dhe deri tek përdoruesi final.
“Është shumë e rëndësishme që puna të vazhdojë me intensitet. Detyra që ju keni marrë përmes urdhrit të kryeministrit, për të qenë anëtarë të kësaj Task Force, është shumë e rëndësishme, pasi sektori i hidrokarbureve është padyshim një sektor, i cili ka ndikim të madh në financat e shtetit shqiptar. Nisi si një vit i shkëlqyer, ku janari dhe shkurti ishin padyshim dy muaj pozitivë, si për doganat ashtu dhe për tatimet dhe ndërkohë nga një pandemi e papritur kemi marrë goditjen më të madhe historike, e cila pati një ndikim negative prej 2.6 miliardë vetëm për dy muaj në buxhetin e shtetit”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se krahas ndikimit në buxhetin e shtetit, goditja e këtij sektori ka edhe ndikim social pasi në hallka të ndryshme të këtij sektori janë punësuar një numër i madh qytetarësh.
“Ndikimi i dytë, përveç buxhetit të shtetit është dhe ndikimi social, që ky sektor ka në Republikën e Shqipërisë, duke filluar nga gjithë zonat naftëmbajtëse, në komponentët përpunues dhe deri në shpërndarjen e produkteve dhe nënprodukteve të naftës. Një pjesë e mirë e popullsisë janë të angazhuar dhe punojnë e jetojnë nga ky sektor, ndaj detyra që ju keni marrë në këtë Task Forcë, është një detyrë e rëndësishme, e cila duhet përmbyllur deri në qëndrimin në fuqi të këtij grupi pune me rigorozitet dhe sukses duke gjetur zgjidhje esenciale”, theksoi ministrja Balluku.
Përpara Task Forcës kanë relatuar sot edhe përfaqësuesit e kompanive Bankers Petroleum dhe ALLUM Enterprises, të cilët kanë raportuar lidhur me masat që po marrin për të rinisur nga puna.
Gjithashtu kompania Albpetrol ka njoftuar lançimin e tenderit për shitjen e naftës, pas një kohe të gjatë pritjeje, për shkak të çmimit të ulët në të gjithë tregjet ndërkombëtare. Ndërsa Bankers Petroleum ka rinisur operimin për nxjerrjen e naftës dhe ka relatuar masat e marra përpara Task Forcës.
Lajme të mira janë raportuar edhe nga Kompania ALLUM Enterprises, e cila është rikthyer në Shqipëri dhe synon rifillimin e punës në Rafinerinë e Ballshit, brenda muajit qershor. Përfaqësuesit e kësaj kompanie kanë konfirmuar se kanë arritur një marrëveshje me Bankers Petroleum për furnizimin me naftë, me një sasi të parë prej 25 mijë ton.
Në përfundim të takimit ministrja Balluku ka shprehur besimin, se falë masave që po ndërmerren, periudha me e vështirë ka kaluar dhe tashmë është koha që edhe ky sektor të fillojë ringritjen e tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu