TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ditën e sotme nga foltorja e Kuvendit i ka kërkuar këshillit drejtues të Radio Televizionit Shqiptar të anulojë kontratën prej 1.8 milionë eurosh për transmetimin e ndeshjeve të Champions League dhe UEFA League.
Kjo sipas kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, është një shpenzim i panevojshëm. “Nuk e di pse duhet të harxhojë 1.8 milionë euro TVSH për të blerë ndeshjet e Champions League të cilat hyjnë në sektorin luxury, në sektorin e qejfit”, tha Balla.
Sipas Ballës jetojnë dhe më mirë nëse nuk shohin UEFA Champions League dhe se kjo gjë nuk mund të tolerohet sepse me këto para mund të ishin blerë sisteme transmetimi për të mbuluar çdo pjesë të territorit.
“E kërkova fjalën për këtë raport të RTSH për vitin 2019. Ne jemi deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, deputetë që përfaqësojmë pothuajse çdo cep të territorit nga Vermoshi në Konispol, nga Durrësi e deri në Korçë e në Pustec. Ajo që është më e rëndësishme për ne edhe që lidhet me komunikimin me publikun të aktivitetit tonë parlamentar është padyshim roli që luan radiotelevizioni publik. Edhe pse dukshëm nga viti 2014-2015 e mbrapa ka një shndërrim total të qasjes së radiotelevizionit përsëri ky radiotelevizion nuk ka arritur ende të jetë në lartësinë e detyrës të një televizioni publik. Ka nevojë për mbulimin me antena, me sinjal të domosdoshëm, tashmë koncepti i antenës në botën dixhitale ka ndryshuar totalisht por e vërteta është që kushdo që është deputet i zonave rurale malore në këtë vend e di shumë mirë që sinjali i TVSH-së nuk penetron. Përpara se të duartrokasim herë pas here sa herë vijnë raporte institucionesh, unë ia kam thënë grupit tim parlamentar dhe kryesisë së grupit se roli i Kuvendit nuk është një rol që të ratifikojë raporte të cilat përsëriten vit pas viti. Kontrolli parlamentar duhet të jetë i tillë që vendosë afate dhe të monitorojë afate. Në rastin e Këshillit Drejtues të RTSH, i cili monitoron punën e përgjithshme të televizionit unë nuk di se a është raportuar krahasuar me një vit më parë sa është rritja e zonës së mbulimit të televizionit publik. E ndërkohë përfitoj nga rasti që t’i tërheq vëmendjen televizionit publik për shpenzime të pavlefshme që lidhen me blerjen e ndeshjeve të Champions Leagues, të UEFA League-s, me vlera marramendëse. Nuk e di pse duhet të harxhojë 1.8 milionë euro TVSH për të blerë ndeshjet e Champions League të cilat hyjnë në sektorin luxury, në sektorin e qejfit. Shqiptarët jetojnë dhe po nuk e panë Champions League, shqiptarët madje jetojnë dhe më mirë nëse nuk shohin UEFA League por unë nuk mund të toleroj sepse me këto para mund të ishin blerë sisteme transmetimi për të mbuluar çdo pjesë të territorit. Unë jam deputet. Kam pafund sms e ankesa nga banorët. 1.8 mln euro të shpenzuara për Champions League e Uefa League, 40 mijë euro për një ndeshje futbolli as e para, as e dyta por e treta në renditje nuk mendoj se janë një shpenzim që i bëjnë nder TVSH. Nuk ka asnjë TV publik shtetëror, as BBC, as Rai që të marrë të harxhojë para për këtë. Ne duam që TV publik në kohën e pandemisë u bë një transmetues i domosdoshëm për mësimin do doja që ky të vazhdonte dhe gjatë verës sepse ka qenë një vit shkollor shumë i vështirë, njëherë prej tërmetit dhe më pas prej pandemisë. Nuk mendoj që ne si Kuvend të duartrokasim këshillin drejtues të RTSH që me një vendim qarkullues ka miratuar që 1.8 milionë euro të shkojnë për këto shpenzime. Paketa e antishpifjes sot është një domosdoshmëri që ne duhet ta kalojmë sa më shpejt por sipas të gjithë frymës dhe rekomandimeve të Venecias. Edhe për këshillin drejtues të RTSH-së nuk ka nevojë më të bëjmë qoka personale apo politike, 6 ne, 6 PD-ja, apo 6 ne dhe 6 ju si opozitë parlamentare e zgjidhni ju me PD-në, shkoni zgjidheni këtë punë, por kjo histori do marrë fund. Nuk ka punë as PD dhe as PS më këshillin drejtues. Duhet të jenë 12 veta që të jenë ekspertë të fushës, ta shndërrojnë atë institucione në një korporatë mediatike moderne ku vendimmarrja buron nga nevoja për të rritur audiencën dhe investimet e shpenzimet bëhen nga nevoja për të aksesuar këtë shërbim publik tek çdo qytetar. Të mos harrojmë që TVSH është shërbim publik për të cilin paguajnë qytetarët shqiptarët. Nëse duam të bëjmë diçka, këtë rezolutë që sot ta përkthejmë në dokument pune raportimi, komisioni i medias, ku ka ekspertë shumë të mirë. Do t’i bëja thirrje TV publik shqiptar brenda mundësive, pa penalitete ta anulonte këtë kontratë sepse nuk i bën nder një televizioni publik se është shpenzim i kotë”, deklaroi Balla.
Shkruar nga: top-channel.tv