Balla i PS-së përshëndet letrën e eurodeputetëve drejtuar Macronit dhe Ruttes për heqjen e vizave Kosovës

0
Gjigandi

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përshëndetur letrën e 42 eurodeputetëve drejtuar presidentit francez, Macron dhe kryeministrit holandez, Rutte, për të hequr vizat për Kosovën në fund të 2020-s. Është zv.Presidenti i Grupit të Partive Popullore Evropiane (PPE) në Parlamentin Evropian, bullgari Andrey Kovatchev, ai i cili publikon edhe letrat teksa, thotë se ka kërkuar në letër heqjen e vizave për Kosovën, pasi kjo e fundit ka përmbushur të gjitha standardet prej 2 vjetësh.

“Së bashku me 41 eurodeputetët, unë bashkënënshkrova 2 letra, duke i dërguar Presidentit të Francës, Macron dhe kryeministrit holandez Rutte një kërkesë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës në Këshillin Evropian nga fundi i vitit 2020. Kanë kaluar 2 vjet qëkur Kosova ka përmbushur të gjitha standardet e teknologjisë, vetëm kështu BE mund të jetë një ndërmjetës i drejtë!’’- shkruan Kovatchev.

Nga ana tjetër, Balla thotë se BE-ja po humbet besueshmërinë dhe kredibilitetin, duke mos respektuar përmbushjen e standardeve nga ana e Kosovës. ‘’Plotësisht dakord me Andrey Kovatchev që BE-ja po humbet kredibilitet dhe besueshmërinë duke mos respektuar Kosovën për përmbushjen e të gjitha standardeve teknike. Faleminderit të gjithë eurodeputetëve nga të gjitha grupet politike për mbështetjen e madhe të treguar nëpërmjet letrave dërguar Presidentit Macron dhe kryeministrit holandez.’’- shkruan Balla.

Përshëndetja e Taulant Ballës ndaj letrës së 42 eurodeputetëve ku kërkojnë heqjen e vizave për Kosovën, pason kritikat e ashpra e të përsëritura të shefit të tij, Edi Rama, ndaj BE-së për mungesën e vizave për Kosovën.

“Është një turp për Bashkimin Evropian që sot e gjithë ditën mban peng një popull. I vetmi popull, në fakt, i marrë peng në kontinentin tonë, që ende ndalohet të lëvizë lirisht si të gjithë të tjerët, pasi si shtet i ka plotësuar të gjitha detyrimet që duhet të plotësojë çdo shtet, përpara se të marrë liberalizimin e vizave. E dimë shumë mirë arsyen ‘pse’. Arsyeja nuk gjendet në Kosovë, arsyeja nuk gjendet në ndonjë paaftësi të Kosovës për të përmbushur detyrimet në raport me procesin e lëvizjes së lirë. Detyrimet janë përmbushur dhe janë njohur si të përmbushura nga vetë Komisioni Evropian. Arsyeja është në Evropë, arsyeja është në politikën e brendshme të Bashkimit Evropian, të vendeve të ndryshme, që gjithmonë e më shumë, kur marrin vendime për ne, nisen nga kalkulimet për qëndrueshmërinë elektorale të forcave politike që qeverisin. Ky nuk është as një sekret, ky nuk është as një turp në vetvete. Turpi është që Kosova sot nuk lëviz e lirë, jo si rezultat i ndonjë faji, apo ndonjë përgjegjësie të sajën, por si rezultat i refuzimit që i bëhet nga Bashkimi Evropian”, deklaroi kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Abdullah Hoti më 3 korrik në Tiranë.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu