I zhdukur: Atë Gjergj Suli, i ditëlindjes 1893, nga Lekli i Tepelenës. Pushkatuar më 1948. Njeri intelektual, prift i ritit unit, nga Tepelena. Kishte kryer studimet në gjimnazin “Zosimea” në Janinë dhe më pas në Amerikë. U rikthye në atdhe për të kontribuar për vendin. Gjergj Suli, kishte njohje me Fan Nolin, Faik Konicën dhe ishte i lidhur me shoqatën “Vatra” në Filadelfia. Luftoi kundër gjermanëve dhe italianëve.
Ishte pro-amerikan dhe pro-anglez. U akuzua se: ishte i lidhur me Sillogun e Janinës dhe që kishte lidhje me ‘Ballin Kombëtar’, me krerët e bejlerëve, për përmbysjen e sistemit komunist. U pushkatua në kalanë e Gjirokastrës. Mendohet se eshtrat e tij gjenden në truallin ku ngrihet Shkolla Industriale, pranë varrezave në Gjirokastër. Të dy djemtë e atë Gjergj Sulit, Thoma Suli dhe vëllai i tij më i madh, nuk u lejuan të merrnin arsim të plotë në shkollë, nuk përkraheshin nga askush, ishin të shtypur, të përbuzur, kryenin vetëm punë të rënda e të rëndomta dhe cilësoheshin si fëmijët e armikut. Si rezultat i përndjekjeve, veçimit, presionit dhe jetës së rëndë, një pjesë të jetës e kaluan në Spitalin Psikiatrik, ku nuk kuroheshin mirë.
Vuajtës: Të bijtë
Dëshmon i biri, Thoma Suli
Të dalë një burrë shteti, t’i bëhet zot Shqipërisë! Sado që kam hequr vuajtje nga torturat më çnjerëzore, prapë më dhembet vendi im, më dhembet Shqipëria, se ç’është ai që lë Shqipërinë?
Zoti Thoma, a mund të na tregoni diçka rreth jetës së babait tuaj?
Atë Gjergj Suli lindi në fshatin Lekël. Mbaroi shkollën fillore po aty dhe u shkollua për gjuhë të huaj turke dhe greke. Si nxënës i shkëlqyer, i dhanë bursë për në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Nga andej, në moshën 16 ose 18-vjeçare, s’jam i sigurt, shkoi në Amerikë, ku vazhdoi punën e tij dhe u lidh me Fan Nolin e me Faik Konicën; u bë shok me Fan Nolin dhe sekretar i “Vatrës” për Filadelfian, siç kam të dhëna unë. U ngrit e erdhi në Shqipëri se i dhembje Shqipëria, atje i ngelën edhe fëmijët. nuk pyeti as për fëmijët. Unë, për fat të keq, nuk e njoha tim atë, se më la 9-muajsh. Ja si them në vargjet e mia:
“Ah, moj trimja Tepelenë,
Mos e harroni At’ Gjergjë,
Patriot i madh me vlerë,
La Amerikën dhe erdhë,
Fëmija atje i mben’
Si nuk pyete për fëmijtë?
T’u ndez gjaku për Shqipërinë,
Doje t’i sillje lirinë,
T’i sillje demokracinë,
Por nuk të lanë të ligjtë.
Prifti i Lekëlit qe burrë,
Demokrati me kulturë,
Që ne s’do ta harrojmë kurrë”.
Punoi si prift në zonën e Leklit dhe ndihmoi luftën kundër Italisë dhe Gjermanisë. Kur në Labovë erdhën gjermanët dhe dogjën fshatin, ai u foli në anglisht: “Ç’keni me popullin? Po keni gjë, luftoni me partizanët e ballistët, jo me popullin fukara, që po i digjni shtëpitë”! Kështu u tërhoq gjermani në fjalët që fliste atë Gjergj Suli.
Më pas, spiunët e komunizmit, siç ishte lukunia e gjuetisë së zagarit të Gjirokastrës, që gjuante njerëzit e zgjuar dhe të pasur, iu qepën pas. E futën në hetuesi në Gjirokastër. Vinin hetuesit edhe nga Jugosllavia për të vërtetuar se kush ishte Atë Gjergji. Nga Atë Gjergji, nuk nxorën asnjë të dhënë as nën rrahje, pavarësisht se si kanë shkruar hetuesit e komunizmit. Më në fund, e pushkatuan në kalanë e Gjirokastrës.
Po aty pushkatuan dhe mbuluan shumë koka të Tepelenës, si babain e Teqesë së Koshtanit, Zenel Shehun, që ishte luftëtar i rrezikshëm; ai e kundërshtoi Enver Hoxhën në Kongresin e Përmetit; aty u arrestua dhe u pushkatua edhe Syrja Shehu nga Vasjari i Tepelenës.!
Ishin kokat e Tepelenës, që udhëhiqnin demokracinë për çlirimin e Shqipërisë, që të mos futej në rrugën e Rusisë, se e njihnin komunizmin, kishin mbaruar shkollat jashtë shtetit, në Angli e Francë, shokët e tij, kurse vetë atë Gjergji në Amerikë. Këta u pushkatuan dhe u hodhën në një gropë e i mbuluan, siç morëm të dhëna më pas.
Pushkatimi i 12 burrave të zgjuar sarandjotë, tepelenas dhe gjirokastritë, është kryer te Shkolla Industriale, pranë varrezave të Gjirokastrës. Kur aty u ngrit shkolla e Gjirokastrës, në themelet që po hapeshin, dilnin kockat e armiqve, kështu na kanë treguar njerëz nga populli që i kishin parë. U ngrit Shkolla Industriale mbi eshtrat e 12 armiqve të Partisë, thoshin në atë kohë.
Ju, familja juaj dhe të afërmit tuaj, a keni përjetuar persekutim?
Vëllai hoqi shumë persekutime, se vëllai ishte mendjendritur, i ngjante të atit, ishte njeri shpikës, që sikur ai të kishte një biografi tjetër. të mesme, jo komuniste, mund të ishte bërë një inxhinier i shumë lloje shpikjeve, ndërsa unë luajta rolin e budallait: nga zgjuarsia e gjenit të babait tim, mbrojta veten time dhe i shpëtova asaj të keqeje.
Kam një ngjarje të vogël. Kur isha fëmijë, ishin mbledhur burrat e fshatit në qendër dhe vjen vëllai im nga puna si mekanik dhe m’u aty ku ishin komunistët – brigadierët, sekretari i organizatës etj., – thotë se do të rregullonte një çikë hidrocentralin, meqë nuk kishim dritë. Në muajin gusht binte niveli i ujit. I thotë një komunist aty: “Nuk ka ngelur centrali në duart e tua ta rregullosh. Ti shiko punën tënde atje ku e ke, se edhe atë e ke të tepërt”! Unë isha pak si i egër në vogëli e vajta t’i hidhesha në grykë, por nuk më la vëllai, se ishte shumë i zgjuar dhe shumë i mprehtë. Sekretari i organizatës bazë i’u qep nga pas. “Ore, hajde këtu ti” – i tha. Vëllai ia ktheu: “Babai im ndoshta ka gabuar për Partinë, edhe u pushkatua, por ne s’kemi ndonjë faj të na ofendoni, se për të mirën e fshatit po flas”. “E rregullon dot centralin”? – pyeti sekretari. “Po, – i thotë ky, – e rregulloj! Po s’e rregullova, do të digjem m’u në central”!
Ndenji katër ditë e katër net atje, te hidrocentrali, dhe se si e bëri, nuk di. Unë i çoja bukën dhe si kalama, i thosha: “Ha bukë, ha bukë”, por ai kishte hall të bënte punën dhe kur ndezi hidrocentralin, u bë ditë dynjaja. Kur ish në shkollë, meqë ishim fukarenj, donte ta linte shkollën e të shkonte të punonte në hapjen e rrugëve, por mëma nuk e la. “Ti do të vazhdosh shkollën, të keqen mëma”!
Një ditë po shihte një traktor tek punonte dhe si sevdalli, i’u ngjit nga pas. Duke e parë, kthehet nga traktoristi e i thotë se traktori bënte zhurmë. “Po ti, nga e di?” – u çudit traktoristi. “Kështu ma pret mendja”, – i tha vëllai dhe traktoristi atëherë ia ktheu: “A do të vish të punosh me mua si ndihmës mekanik”? Kaq ishte! E la dhe shkollën dhe filloi si ndihmës.
Punoi nja 3-4 muaj, por na e zbuluan që ky po punonte traktorist dhe u ngritën e thanë: “Si i’a keni dhënë traktorin një armiku”? Vëllaziu im, nga mosha ishte i vogël e ngrihej kështu tek traktori, unë e shikoja dhe gëzoja për të, se kishte shumë zanate, traktorist, elektricist. çfarë shikonte, e bënte, i arrinte të gjitha nga mendja e tij, pa shkollë, kurse unë nuk merrja vesh për këto gjëra, vetëm kazmën e lopatën dija. E kështu, hiq andej, hiq këtej.!
Na dashurohet me një korçare këtu në Tiranë, arsimtare. Ishin bashkë për një vit, kur ajo mori vesh se ky ishte i persekutuar. “Ti e paske babain armik, – i thotë, – pse s’ma ke thënë këtë? Unë edhe sikur dy-tre fëmijë të kishim, nuk do të të kisha marrë, se unë jam familje komuniste, nuk jam familje armiqsh”. Kështu që vëllai im, prit andej, godit këtej, kaloi në psikiatri. As atje nuk kurohej si gjithë të tjerët, se spitalet ishin një çik ashtu.!
Kur arrita moshën 19-vjeçare, dashurova një vajzë dhe i them këtu, këtu, edhe “të dua”. Më thotë ajo: “Unë më mirë të të marr ty me një sy, por atë lëkurë ujku që ke ti, pse ta marr edhe unë”? Kështu që unë dashuroj një vajzë tjetër, e kërkoj me mblesëri, e përsëri nuk më lejonin: “Ou, i biri i priftit?! Në asnjë mënyrë! Kështu që edhe unë kalova një çik në psikiatri, bashkë me vëllain. Dy vëllezër në psikiatri, derisa motra mori një burrë me biografi të mirë. Qe familje komunisti, por ata nuk vinin më në shtëpi, meqë motra ime ishte “bija e armikut”.
Megjithatë, erdhi puna edhe te fëmijët e saj. Fëmija i parë i saj, që nga fillimi i shkollës, klasa e parë, deri në të tetën, ishte me notë mesatare 10, por në fshat erdhi vetëm një bursë për dy nxënëse. Nxënësja tjetër ishte me biografi më të mirë nga mbesa ime, por me nota ishte shumë dobët. Ngrihet drejtori i shkollës, në praninë e sekretarit të byrosë dhe thotë: “Unë, si drejtor i shkollës që i njoh mirë të dyja nxënëset, mendoj që ta marrë Zhaneta Suli me një notë mesatare të lartë”. “Ulu, – i thotë sekretari i byrosë, – Zhaneta Suli është mbesa e atë Gjergj Sulit”. Ia kthen drejtori i shkollës: “Atë Gjergji e pagoi me kokën e tij. Nuk e njohu as e ëma e vajzës atë Gjergjin e jo kjo, megjithatë ne themi edhe ndryshe: kjo është mbesë komunisti, e ka xhaxhain ushtarak në Marinën Detare në Durrës”. Kur u ul, sekretari i tha: “Mos u ndie”!
Por këto qenë goditje të rënda mbi kurrizin e motrës, edhe tonin. Motra i përballoi një çik më mirë këto situata, duke u mbuluar disi nga biografia e burrit, ndërsa ne, dy vëllezër, kaluam në psikiatri, ku na trajtonin si të sëmurë rëndë.
A keni ruajtur në shtëpi sende vetjake nga babai juaj?
Në asnjë mënyrë! Ato që ishin, u zhdukën, se ata e shkatërruan shtëpinë. Babai s’kishte asnjë gjë në gjendje, vetëm libra, ca kusi, ca batanije. Edhe siç erdhi nga Amerika, ishte fukara, por ama ishte me ideale të tjera, me ideologji, shumëgjuhësh, detyrimisht ishte krejt ndryshe.
A keni marrë vesh cila ishte akuza bazë me të cilën u dënua babai juaj?
Akuza ishte se gjoja: “babai ishte lidhur me Sillogun e Janinës, se kishte lidhje me ‘Ballin Kombëtar’, me krerët e bejlerëve për përmbysje të sistemit komunist, se nuk pranonte sistemin komunist, se donte amerikanët dhe anglezët në Shqipëri.”!
Kjo akuzë ishte vetëm për babain tuaj, apo bashkë me të tjerët me të cilët u dënua në grup?
Ishte në grup dhe të gjithë u dënuan me pushkatim! U dënuan në një darkë të katër krerët kryesorë. Zenel Shehu njihej si luftëtar i madh dhe ishte caktuar kryetar i Komitetit të Tepelenës, pas çlirimit të saj. Ky i hipi kalit dhe shkoi në Përmet, kur bëhej Kongresi e i’u kundërvu Enver Hoxhës: “E bëmë luftën, e çliruam Shqipërinë, por, shoku Enver, ti po na fut nga komunizmi. Ne e njohim se çfarë është komunizmi”! “Mirë, shoku Zenel, – i thotë Enveri, – do ta shohim herën tjetër problemin tend”! Në atë kohë, menjëherë e arrestojnë dhe e caktojnë për pushkatim.
Kur u rritët, a i takuat ndonjëherë ata që jua shkaktuan këtë tragjedi, njerëzit që e kanë paditur babain, ose që e kanë torturuar? A e keni marrë vesh cilët kanë qenë?
Nuk dimë asgjë!
Po sikur sot, në këtë moshë, t’jua tregonin duke kaluar në rrugë, si mendoni se do të kishit vepruar?
Unë do t’i them: “I jazëkut ti je”!, se nuk mund të hakmerrem me një të tillë, një gjakpirës hijerëndë, sepse kemi të tillë kulturë këtu, që edhe një mizë nuk mund ta shkelim, jo të hakmerremi me tortura çnjerëzore, siç i solli ai sistem në Shqipëri. Nga unë, si i themi, janë të falur, se nuk jam hakmarrës me njerëz të tillë, por më vjen keq se si këta barbarë arritën të bëjnë këto me gjithë kulturën shqiptare, me ajkën e kombit shqiptar, me të gjithë të pasurit që kishin derdhur djersë. Si ta quash këtë, që të vish e të më marrësh pronën mua? Për ata që kishin pronë, se plaku im nuk kishte as pronë, asnjë gjë, vetëm kishte idealet e tij të rënda, kulturën e tij”.
A shpresoni t’i gjeni eshtrat e babait tuaj?
Ah. nuk di. Ndoshta mund të bëj ndonjë gabim, por në Shqipërinë time, që im atë e donte aq shumë, për të cilën la Amerikën dhe fëmijët, e po kështu edhe nipi im, edhe unë shoh se këtu është vjedhur shumë e vazhdon komunizmi, vazhdon, vazhdon rruga e komunizmit.! Po çdo gjë mund të realizohet, në qoftë se do të futet në rrugën e idealeve të patriotëve të mëdhenj, të Frashërllinjve, të Mid’hat Frashërit që udhëhoqi ‘Ballin Kombëtar’, të Abdyl Frashërit që ishte, siç i këndojmë këngë ne labët:
“Avdyl prishe pasurinë/ E bëre flori./ Vajte te Bismarku,/ Ndenje në Skamni.”
Njerëzit u persekutuan, se i tillë qe ai sistem. Në qoftë se njerëzit do të ecin në rrugën e demokracisë, që të lindë demokracia e saktë, atëherë gjithçka është e arritshme.
Po sikur një ditë t’ju njoftojnë që u gjetën eshtrat e babait, a do të ishit i gëzuar?
Do të jetë gëzim shumë i madh, sido që unë nuk e njoh fjalën “baba” e nuk kam dhembshuri për babain. E kam dashur shumë nënën time, domethënë edhe dashurinë e babait, mendoj se e kam hedhur mbi nënën. Kam dashur nënën, se nuk e njoha babain! Nuk kam idealet e tij.
Vetëm më vjen keq tani e prekem shpirtërisht për një njeri kaq të madh, që unë nuk mund ta arrij dot as tek thoi i këmbës, që të kem dashuri të madhe. Por për fatkeqësinë që i ndodhi babait do ta bëj natën ditë.
A kanë shkruar për babain tuaj, e kanë përmendur si figurë?
Kanë shkruar, por siç duhet shkruar nuk ka shkruar njeri, se gjithë bashkudhëtarët e babait tim nuk jetuan.
Kur u hap demokracia, thuajse u larguan njerëzit, ne po ishim një çikë të paaftë, se qemë të shtypur e të izoluar në fshatin Lekël: s’na hynte, s’na dilte njeri në shtëpi, nuk dinim as të uronim, as të vallëzonim, as të ngushëllonim, as kur më vdiq nëna apo kur gruas sime i vdiq kushërira e parë, 17 vjeçe.!
Ishim 17 veta duke mbajtur arkivolin në krahë, në qytetin e Memaliajt. U hapnim rrugën makinave dhe njerëzve, se na shtypën makinat, se shkoi e bija e armikut, se edhe nga ana e gruas sime ishin të persekutuar e të dënuar me burg: 10 vjet xhaxhai i saj në Ballsh, 5 vjet i ati në Spaç. Kështu që ishim tepër, tepër të përbuzur. S’na fliste njeri me gojë. Na shtypnin dhe na pështynin! Na linin në punët më të vështira!
Duke pasur një raport mjekësor nga Spitali Psiqiatrik i Vlorës, i them sekretarit të organizatës bazë të fshatit: “Një punë edhe për mua, se s’mund të ha kazmën edhe me të tillë shëndet që kam”! “Ka norma Partia”! – më thotë.
Një përgjegjës sektori, të cilit i vinte keq për mua, nuk ishte komunist, më futi në pela, kuaj. Sa më futi në pela, i mirëmbajta e i shëndosha për sedrën time personale, si dhe për të nderuar shefin e sektorit që më bëri këtë nder të madh. Më hoqi nga kazma si njeri i sëmurë, mirëpo dikush shkroi një letër dhe sekretari i parë i rrethit dërgoi instruktorin e tij dhe më hoqën menjëherë nga pelat. Aty u ngrit edhe një bashkëfshatar nga Hormova, jo nga ne, por nga Hormova, e thotë: “Mos e hiqni, more! Lëreni armikun, se u siguroi pelat”! E tha me gojën e tij, dhe e dëgjova vetë. “Ik, ore, shiko punën ti, se e di Partia atë punë”, – i tha instruktori.
Zoti Thoma, shumë faleminderit për intervistën.
Edhe unë ju falënderoj për respektin, për sjelljen, për edukatën dhe uroj që Shqipëria të marrë rrugën e plotë të demokracisë, që të kthehen gjithë shqiptarët që kanë ikur jashtë vendit në folenë e tyre, se zogu që lë folenë e tij.! Si i thonë: “Ku është balta më e ëmbël se mjalta? Këtu në Shqipëri”! Mirëpo nuk shikojmë mbarësi në rrugën tonë në Shqipëri, që të kthehen gjithë shqiptarët që kanë lënë Shqipërinë, se ç’është ai që lë Shqipërinë? E kam lënë një copë tokë, një gërmadhë në fshatin Lekël dhe jetoj në Greqi, sot, dhe më vjen mall të vij e ta shikoj, sado që kam hequr vuajtje nga torturat më çnjerëzore, por prapë më dhembet vendi im, më dhembet Shqipëria. Dua ta shikoj t’i dalë një burrë shteti, t’i bëhet zot Shqipërisë! Memorie.al