Amerikanët, në masë kundër qëndrimit të presidentit ndaj reformave policore

0
Gjigandi

Një anketë e fundit tregon se pjesa më e madhe e amerikanëve nuk janë dakord me qëndrimin e presidentit për reforma në radhët e forcave të rendit. Kjo pikëpamje është thelluar që nga 25 maji kur George Floyd, një afrikano-amerikan në Mineapolis, vdiq kur po arrestohej nga një polic i bardhë.

Presidenti tha kur po nënshkruante një urdhër ekzekutiv muajin e kaluar se “kundërshton me forcë përpjekjet radikale dhe të rrezikshme për të anuluar fondet, apo për të shpërndarë repartet policore, sidomos tani kur kemi shënuar ritmet më të ulëta të krimit në vitet e fundit”.
Ai shtoi “Amerikanët e dinë të vërtetën. Pa polici, sundon kaosi. Pa ligj, sundon anarkia. Pa siguri, vjen katastrofa”. Një anketë e re e Universitetit Monmouth arrin në përfundimin se më shumë se 2/3 e amerikanëve, ose 77% e tyre, duan “ndryshime në mënyrën si operon policia” dhe 18% e tyre duan “ta heqin fare policinë”.
Fushata për rizgjedhjen e presidentit po transmeton reklama të reja ku sulmon lëvizjen për anulimin e fondeve për policinë duke u përpjekur ta shfrytëzojë këtë lëvizje për të sulmuar kandidatin e pritshëm të demokratëve në zgjedhjet presidenciale, Joe Biden. Zoti Biden është shprehur kundër shkurtimeve të përgjithshme në buxhetin policor. Ai tha muajin e kaluar se mbështet idenë e kushtëzimit të fondeve federale me ndryshime të realizuara brenda departamenteve policore, përfshirë respektimin e standardeve kombëtare për rastet kur mund të përdoret forca policore si dhe raportimin e shkeljeve nga policët.
Afro 2/3 e amerikanëve, ose 62% e tyre besojnë se mënyra se si Presidenti Trump ka reaguar pas protestave të fundit “e ka keqësuar situatën”. 20% thanë se presidenti e ka përmirësuar situatën. Universiteti Monmouth, i cili ndodhet në Nju Xhërsi, anketoi 867 të rritur për katër ditë në fund të qershorit. Anketa kishte një luhatje në rezultate prej 3%./VOA

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu