Ambasadori i OSBE: Shqiperia te zgjidhe reformen zgjedhore deri ne fund te ketij viti

0
Gjigandi

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt, i bëri thirrje komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore të gjejë një zgjidhje, maksimumi deri në fund të këtij viti. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ambasadori Borschardt nxiti prokurorinë të punojë shumë intensivisht për të gjitha shkeljet, qofshin presion i paligjshëm ndaj zgjedhësve, qofshin shitblerje të votës apo shkelje të tjera. Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, në Shqipëri flitet shumë shpesh për zgjedhjet, për reformën dhe është arritur që në Kodin Zgjedhor të ndërhyhet afro 12 herë, në 29 vjet. Çfarë mendoni se u mungon zgjedhjeve në Shqipëri dhe cila reformë do të ishte, le të themi, definitive, për të mos ndërhyrë më, të paktën për një kohë të gjatë? Ambasador Bernd Borchardt: Shumë faleminderit për këtë pyetje. Do të doja të qartësoja të tërë tablonë e debatit. Së pari, OSBE/ODIHR-i ka formuluar, që prej vitit 2013, rekomandime për përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Pjesa e dytë e diskutimit, nisi pas zgjedhjeve të 2017-s dhe kishte të bënte me përdorimin e teknologjive të reja në votim dhe me votimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Pjesa e tretë e debatit është më e vonë dhe ka të bëjë me ndryshimin e tërë sistemit zgjedhor. Po i shtjelloj paksa të tria këto aspekte. Së pari, rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Për ne, këto janë rekomandime. Ne nuk kemi mandat ekzekutiv këtu dhe, sigurisht, as që duam të kemi. Por patjetër, ne do të dëshironim të ndihmojmë Shqipërinë të përmirësojë sistemin e saj zgjedhor, përmes zbatimit të këtyre rekomandimeve. Për këtë qëllim, vitin e shkuar, organizuam gjashtë takime pune të gjera, ku u diskutuan praktikat më të mira. Rekomandimet janë të shumta; disa janë shumë teknike, por disa nga aspektet më të rëndësishme janë: përcaktimi i mekanizmave për të shmangur presionin ndaj administratës publike gjatë zgjedhjeve, shmangia e abuzimit të administratës gjatë zgjedhjeve, hetimi i të gjitha akuzave për abuzime, përfshirë shitblerjen e votës, depolitizmi i administratës zgjedhore, përmirësimi i financimit të fushatave, mbikëqyrja e financimit përmes një KQZ-je të depolitizuar, ndalimi i kronikave të gatshme të përgatitura nga partitë dhe lejimi i gazetarëve për të ndjekur veprimtaritë dhe për të raportuar në mënyrë të pavarur. Ka edhe shumë të tjera. Disa rekomandime janë tepër teknike, prandaj nuk po ndalem në to. Në këto tryeza, kemi diskutuar se si zgjidhen këto probleme në vende të tjera, në sisteme të tjera. Ne do të vijojmë të mbështesim Shqipërinë në këtë mënyrë. Vendimi i parlamentit gjerman, që kërkon nga Shqipëria zbatimin e reformës, i jep një hov të ri këtij debati. Në fund të vitit të shkuar, u hartuan dy projektligje që adresonin rekomandimet e OSBE/ODIHR-it deri në vitin 2017. Njëri prej tyre mbulonte rreth 90 për qind të tyre, ndërsa projektligji tjetër ishte paksa më i dobët, por, gjithsesi, janë një pikënisje e mirë. Aspekti i dytë i diskutimeve është ai për teknologjitë e reja të votimit dhe ai i votimit të shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Edhe për këto dy çështje, organizuam dy takime pune vitin e shkuar dhe diskutuam me ekspertët e partive se si mund të arrihen. Për votimin e emigrantëve ekzistojnë modele të ndryshme dhe ekspertët tanë paraqitën të mirat dhe të këqijat e secilit model, qoftë ai i votimit në ambasada apo me postë. Sa i takon votimit elektronik, ekspertët tanë, gjithashtu, shpjeguan përparësitë, të metat dhe rreziqet. Nëse bëhet online, rreziqet janë të larta. Nëse bëhet offline, përgatitjet duhet të nisin shumë kohë më parë, pasi duhet zhvilluar një fushatë e hollësishme për t’u shpjeguar zgjedhësve se si funksionon. Pasi duhet siguruar që të moshuarit nëpër fshatra, të cilët nuk luajnë me smartfon përditë, të jenë në gjendje të përdorin pajisjen e votimit. Kjo është e bëshme, për kërkon kohë për t’u zbatuar dhe është shumë e kushtueshme. Një aspekt tjetër është numërimi elektronik, i cili është shumë më i lirë dhe më i lehtë. Aspekti i tretë i diskutimit, i cili ka filluar kohët e fundit, është debati për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Edhe ky ka dy anë. Nga njëra anë, kemi rregullat e përgjithshme. Rregulli i përgjithshëm, që është një rekomandim i fortë nga ne dhe nga Këshilli i Evropës, është që, nëse ndryshohet sistemi, kjo të ndodhë të paktën një vit përpara zgjedhjeve, në mënyrë që njerëzit të informohen si duhet. Nga ana tjetër kemi pyetjen: çfarë lloj sistemi zgjedhor? Ne nuk bëjmë rekomandime. Ekzistojnë shumë sisteme të ndryshme, që të gjitha legjitime dhe që mund të funksionojnë, por vetëm shqiptarët mund të vendosin se cili është sistemi më i mirë për vendin. Nëse ju, shqiptarët, me politikanët dhe deputetët tuaj, vendosni me shumicë se cilin sistem doni, ajo që mund të bëjmë ne është t’ju vëmë në dukje aspektet teknike të atij sistemi që duhen pasur parasysh. Ky do të ishte roli ynë në këtë kontekst. Ky diskutim është ende në fazë mjaft të hershme. Tryeza, që organizuam në fund të shtatorit, kishte pikërisht të bënte me këtë diskutim, me këto elemente. Së fundi, do të doja të theksoja që, për ne, gjëja më e rëndësishme janë rekomandimet. Duket se ato janë element themelor edhe në debatin e BE-së, prandaj ne do ta nxitim komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore të punojë në këtë drejtim dhe të gjejë një zgjidhje, maksimumi deri në fund të vitit. Zëri i Amerikës: Partia Demokratike jashtë parlamentit propozoi në tryezë ngritjen e një strukture të re me ekspertë të OSBE-së, Bashkimit Evropian, dhe SHBA, duke mos njohur komisionin aktual bipartizan të reformës . Si e vlerëson OSBE-ja këtë propozim? Ambasador Bernd Borchardt: Këtu ngërthehen dy aspekte. Njëri aspekt është si të diskutohen çështjet e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it apo çështja e sistemit të ri zgjedhor dhe kjo mund të bëhet në tryeza pune, si ato që organizuam vitin e kaluar. Ne jemi më se të gatshëm t’i organizojmë këto takime pune. Ka edhe kërkesa të tjera, si ajo e parlamentit gjerman, për shembull, për të ndryshuar mënyrën e financimit të partive. Do të ishim më se të lumtur të organizonim debate edhe për këtë çështje. Nuk mund të flas në emër të partnerëve tanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo të Bashkimit Evropian, por besoj se edhe ata do të ishin të gatshëm të kontribuonin në këtë debat. Di që edhe partnerë të tjerë të Shqipërisë dhe miqtë tanë të Këshillit të Evropës kanë punuar me strukturat shqiptare për financimin e partive, për shembull. Por, sa i takon vendimarrjes, kushtetuta e Shqipërisë e përcakton shumë qartë: duhet shumicë e cilësuar në parlament.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu