Agjencitë turistike duhet të rimbursojnë klientët që kanë humbur paketat e tyre turistike për shkak të pandemisë së Covid-19. Kjo parashikohet sipas një Akti normativ të qeverisë është depozituar në Parlament dhe ku parashikohet që së shpejti do të diskutohet me procedurë të përshpejtuar dhe të votohet nga deputetët.
Sipas draftit të depozituar në Parlament, të siguruar nga Gazeta “Shqip” agjencitë turistike duhet t’i ofrojnë shtetasve që kanë prenotuar por që e kanë pasur të pamundur për të kryer pushimet për shkak të mbylljes së kufijve apo masave të shtetrrethimit dy opsione “dëmshpërblimi” si për turistët e huaj dhe ato vendas.
“Operatorët turistikë apo/ose agjencitë e udhëtimit, brenda 30 ditësh nga komunikimi i përmendur në pikën 2, të nenit 6, të këtij akti normativ, të rimbursojnë dokumentin e udhëtimit dhe/ose paketën e udhëtimit nëpërmjet lëshimit të një kuponi (voucher), që korrespondon me të njëjtën vlerë/shumë totale që duhet të kthehet, duke i ofruar klientit mundësinë e përdorimit të kuponit për të njëjtin shërbim ose një të ngjashëm, që i përket kontratës së ndërprerë, e cila do të përdoret brenda 1 viti”, thuhet në nenin 7 të këtij akti.
Në pikën dy të këtij neni theksohet gjithashtu se “Në rast se nuk realizohet shërbimi, sipas parashikimeve të pikës 1, neni 7, operatorët turistikë apo/ose agjencitë e udhëtimit t’i rimbursojnë klientit vlerën/shumë totale të paguar”.
Në rast të kundërt akti normativ parashikon sanksione ndaj operatorëve turistik. Sipas dispozitës përkatëse, operatort të cilët nuk e zbatojnë këtë akt normativ, përveç përmbushjes së detyrimeve kontraktuale ndaj klientit, dënohen me gjobë, për çdo kontratë të parealizuar,sipas masës së parashikuar në shkronjën “dh”, të pikës 1, të nenit 71, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”. Ky nen parashikon që për ushtrimin e veprimtarisë pa plotësuar kërkesat e përcaktuara në pikën 1, të nenit 54, dënohet me gjobë 100 000 lekë.