Ky sezon veror nuk ka nisur aspak ashtu siç agjencitë turistike e prisnin apo kishin menduar. Ato po përballen me anulime të rezervimeve.
“Klientët janë dyndur për të kërkuar pagesat e tyre, duke thënë unë të njoh ty dhe tek ty e kam bërë pagesën dhe më duhet, sepse nuk kam për vetën time me çfarë të jetoj.
Shërbimin nuk e mora kur doja dhe nuk mund të shkoj mbas një viti. I kemi shlyer dalëngadalë nga xhepi jonë”, thotë Erion Mane, operator turistik.
Pandemia COVID-19 ka detyruar edhe turistët e huaj të anulojnë rezervimet që kishin bërë për të pushuar në bregdetin shqiptar.
“Për sa i përket grupeve të huaja, ne një vit më parë ishim me një bum turistësh, ndërsa këtë vit jemi 0. Kjo gjithçka shkak i pandemisë. Anulimet e para kanë nisur që më 20 shkurt, që kur Italia dha alarmin se COVID ka cenuar Italinë dhe do mbylleshin kufijtë.
Turistët më të mëdhenj që kanë anuluar mbeten polakët, që duhet t’i prisnim që më 15 maj”, shton z. Mane.
“Rreth 20% nga të huajt kanë anuluar, më shumë Italia dhe Gjermania”, shprehet Dorina Xhepa, operatore turistike.
Agjencitë turistike tregojnë se shkak për këtë gjë janë bërë politikat e çdo vendi, të cilët po mundohen t’i mbajnë turistët brenda shtetit te tyre, një mënyrë kjo për të ruajtur ekonominë.
“Deri në këto momente mund të themi se jemi në 1% të sezonit që lamë pas.
Nisma #pushoshqip nuk është preferuar nga një pjese e qytetarëve, të cilët ende synojnë të pushojnë jashtë, për shkak të çmimeve”, shprehet z. Mane.
Sipas znj. Xhepa, Shqipëria mbetet destinacioni më i preferuar për kosovarët.
“Vendasit kanë preferuar Malin e Zi për pushime. Në Budva një paketë mund të jetë 75 euro për 5 ditë, ‘all exlusive’, ndërsa në Shqipëri nuk ekziston ky koncept, por janë vetëm me mëngjes. Kemi 79 euro e lart, turet 3-ditore. Bregdeti i Jugut mbetet pak i shtrenjtë”, thotë ajo.
Kjo mungesë klientele ka bërë që rolet midis agjencive dhe hotelerive të ndërrohen.
“Hoteleritë në jug na kanë thënë vëreni vet çmimin se ju e dini çfarë mund të tërheqim. Më vjen keq kur më thonë, na thoni sesi do të shkojë sezoni që ta dimë sa staf të vëmë, sepse jemi të mbyllur…
Fundi i kësaj do të jetë se kush do të rezistojë dhe kush do të falimentojë”, përfundon z. Mane.