Prodhuesi i aeroplanëve, Boeing, njoftoi të hënën se mund ta kthejë në përdorim flotën e aeroplanëve të tipit “737 Max” në janar të vitit të ardhshëm, pasi të përfundojnë të gjitha kontrollet e sigurisë. Këta aeroplanë u hoqën nga përdorimi në mars për shkak të dy aksidenteve fatale brenda pesë muajve, ku vdiqën 346 persona.
Kompania më e madhe në botë për prodhimin e aeroplanëve tha se shpreson që Administrata Federale e Aviacionit në Shtetet e Bashkuara do ta miratojë softuerin për kontroll të fluturimit në këta aeroplanë para fundit të këtij viti.
Një problem në mekanizmin kundër bllokimit të motorëve besohet se ishte shkaktar i aksidenteve të kompanive indoneziane dhe etiopiane në tetor të vitit të kaluar dhe në mars të këtij viti.
Ky model i aeroplanit ishte pjesë kryesore e flotës së shumë kompanive në mbarë botën. Të gjithë 371 aeroplanët e këtij modeli u hoqën nga përdorimi në të gjitha shtetet ku ishin duke u përdorur.
Vlera e aksioneve të kompanisë Boeing ra në mënyrë të ndjeshme pas këtij vendimi. Në muajin prill, zyrtarët e këtij prodhuesi vlerësuan se kompania do të pësojë humbje prej 1 miliard dollarësh pasi u detyrua ta zvogëlojë prodhimin.
Për më tepër, kjo kompani përballet me disa padi në gjykata, të cilat janë dorëzuar nga familjarët e viktimave të aksidenteve fatale. Ajo është akuzuar edhe për mashtrim të autoriteteve të aviacionit, sepse besohet që drejtuesit e kompanisë kanë qenë të vetëdijshëm për problemet e softuerit të këtyre aeroplanëve, shkruan “The Guardian”.