Edhe dy xhiro kanë mbetur për t’u mbyllur një sezon i stërzgjatur dhe tejet interesant. Superliga e Kosovës në mesjavë vazhdon me xhiron e 32-të dhe të dielën në fund javë do të zhvillohet edhe xhiroja e fundit (33).
Gara për titull ende nuk ka përfunduar, duke qenë e luftuar mjaftë shumë nga Drita, Gjilani dhe Ballkani, shkruan Insporti/. Në garë për titull të kampionit ishte edhe klubi më i madh në Kosovë, Prishtina por fati i saj u vendos në xhiron e 29-të, duke u mposhtur nga Gjilani me rezultat 2:1.
Derbi ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës përfundoi me incident të madh, kur pas ndeshjes Policia e Kosovës spërkati me sprej trajnerin e kryeqytetasve, Armend Dallku dhe disa futbollistë.
E gjithë rrëmuja ishte krijuar nga pa kënaqësia për ndarjen e drejtësisë nga gjyqtarët. Prishtina hodhi dyshime të forta se gjyqtari kryesor i ndeshjes, Kreshnik Vula, ka dëmtuar me qëllim dhe se ka pranuar edhe para për të ndalur rrugëtimin e tyre drejt titullit.
Gjyqtari Vula ndëshkoi me karton të kuq portierin e Prishtinës, Visar Bekaj pas një dueli me futbollistin e Gjilanit, Gerhard Progni. Ky ishte momenti delikat që bëri situatën të tensionohej pas ndeshjes.
Madje zyrtari i Prishtinës, Avni Durmishi pas ndeshjes deklaroi se gjyqtari anësor, Fatmir Sekiraqa, është paguar nga Drita, ashtu siç ishte paguar edhe para dy vjetëve. “Fatmir Sekiraqa është gjyqtar i njohur për ne që nga ndeshja me Dritën në Pejë para dy vitesh. Edhe atëherë ka marrë para, edhe sot ka marrë para. Ndoshta Gjilani është i pafajshëm, por Drita është e përfshirë 100%”.
Për ta ndarë drejtësinë në ndeshjen Gjilani – Prishtina ishin deleguar Kreshnik Vula (gjyqtar kryesor), Fatmir Sekiraqa (anësor), Edmond Zeqiri (anësor) dhe gjyqtar i katërt Tefik Maloku.
Pas ndeshjes me komunikatë zyrtare doli edhe Trepça ’89 duke mbështetur Prishtinën. Në komunikatën e publikuar në faqen zyrtare të klubit thuhet se Trepça’89 mbështet Prishtinën dhe se të deleguarit e ndeshjes është e ditur se kush po i mbështet.
Vlen të theksojmë së në xhiron e 29-të ishin tre derbi, ndërsa gjyqtarët me stemë të FIFA-s, Genc Nuza dhe Besfort Kasumi nuk ishin deleguar.
Të hënën (dje) Federata e Futbollit të Kosovës njoftoi për delegimin e gjyqtarëve për xhiron e 32-të. Në derbin e kësaj xhiro gjyqtar kryesor është deleguar Tefik Maloku.