24.89 Euro për MWh, çmimi spektakolar i fituesit të ankandit për Parkun Fotovoltaik të Karavastasë, Balluku: Çmim rekord për të gjitha parqet energjetike

0
Gjigandi

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në prani të kryeministrit Edi Rama, ka përmbyllur sot ankandin ndërkombëtar për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë, i cili do të jetë parku energjetik më i madh me energji solare në Ballkan.

Çmimi prej 24.89 euro, për MWh, i ofruar nga kompania fituese, është konsideruar si një çmim fantastik, për leverdinë ekonomike që i sjell ekonomisë së vendit, nisur nga fakti se energjia elektrike me shumicë në Shqipëri llogaritet të jetë në nivelin 50-55 euro për MWh. Ky është çmimi më konkurrues për tregun e ardhshëm të energjisë, i cili do të reflektojë sinjale te konsumatori.
Në mbyllje të fazës finale të ankandit ndërkombëtar, fituese është shpallur kompania franceze Voltalia, e cila kishte bërë edhe ofertën financiare prej 24.89 euro, për MWh.
Ministrja Belinda Balluku nuk e ka fshehur entuziazmin e saj në mbyllje të procesit, të cilin e ka vlerësuar si një proces model përsa i përket transparencës, ndërsa çmimin e ofruar nga kompania fituese një çmim rekord për parqet energjetike.
“Ky është një çmim rekord, për të gjitha parqet energjetike. Ne shpesh i jemi referuar parqeve të ndërtuara në Jordani, apo në zona ku piku i diellit është shumë më i lartë, pra dhe prodhimi është më i lartë, me çmime 26 euro. Ndërkohë ne kemi ardhur sot në këtë ditë, që të kemi një park energjetik me 24.89 euro nga kompania Volttalia, që është një nga kompanitë më të mëdha europiane me kapital 100% francez”, është shprehur ministrja Balluku.
Ankandi për këtë park fotovoltaik u shpall në datën 20 janar, dokumentet ishin të disponueshme online për një periudhë të konsiderueshme dhe ato u blenë nga 30 kompani. Ministrja Balluku vlerësoi se ato ishin kompani me emër të madh në Europë, por edhe në kontinente të tjera. Në 30 prill Komisioni i Vlerësimit të ofertave ka arritur të administrojë 5 oferta.
“Kjo është një garë e suksesshme, pasi ka pasur konkurrencë dhe ajo që është më e rëndësishmja, diçka të cilën mund ta faktojnë edhe konsulentët e BERZH, të cilët kanë qenë pjesë e pandarë e të gjithë këtij procesi dhe e grupit të punës, ka qenë një proces transparent nga fillimi deri në fund. Një proces i bazuar mbi garën dhe sigurisht të pesta kompanitë kanë pasur mundësi që të vlerësohen nga grupi ynë i ekspertëve dhe nga grupi i BERZH për të kaluar fazën e pare”, ka theksuar ministrja Balluku.
Vendi ynë, për shkak se bazohet në energjinë e prodhuar nga hidrocentralet, sigurisht që ka një varësi të jashtëzakonshme nga moti. Ndërtimi i Parkut Fotovoltaik të Karavastasë sipas ministres Balluku është një hap shumë i rëndësishëm, në drejtim të diversifikimit të burimeve të energjisë, përmes krijimit të burimeve alternative të prodhimit të energjisë, që në këtë rast është energjia solare.
Investimi për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë në zonën e Divjakës dhe të Fierit do të kapë shifrën e mbi 100 milionë eurove. Parku fotovoltaik do të ketë një kapacitet të instaluar prej 140 megavat energji, të ndara sipas një skeme ku 70 megavat do të jenë me çmim të parashikuar dhe 70 megavat do të tregtohen në tregun e lirë. Afati i projektit është 30-vjeçar dhe për kapacitetin 70 megavat me çmim të parashikuar, kemi një kontratë shitblerje energjie për një afat 15-vjeçar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu