Bayern Munichu e ka zyrtarizuar transferimin e yllit të talentuar të Paris Saint-Germainit, Tanguy Kouassi. Ai shkon në Bayern si transferim i lirë, pasi i ka përfunduar kontrata me klubin parisien.
Qendërmbrojtësi 18-vjeçar bëhet e ditur se e ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare, sipas së cilës ai do të qëndrojë në Allianz Arena të paktën deri në verën e vitit 2024.
Kouassi u shpreh i lumtur që i është bashkuar skuadrës së kampionit gjerman, përderisa premtoi se do të luftojë për të zënë vend si i rregullt në formacionin e parë të Bayernit.
“Jam shumë i lumtur që tani do të kem mundësi të luaj për Bayernin. Ky është një klub i madh, plot traditë”, tha Kouassi, gjatë prezantimit të tij si lojtari më i ri i bavarezëve.
“Unë shpresoj se këtu do ta nis karrierën time me të vërtetë dhe do të bëj shumë paraqitje. Do të punoj shumë për ta arritur këtë qëllim”.
I lumtur me këtë transferim u shpreh edhe drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamidzic, i cili e cilësoi Kouassin si njërin ndër talentet më premtues në Evropë.
“Në sytë tanë, ai është njëri ndër talentet më premtuese në Evropë. Ai ndihet më së miri kur luan si qendërmbrojtës, por mund të luajë në shumë pozita. Ne jemi të sigurt se ai do ta ketë një karrierë të mrekullueshme me ne dhe është një përforcim real për skuadrën”, tha drejtori i klubit.