Zjarr, tym dhe mungesë energjie; realiteti i ri në Kaliforni

0
2
Gjigandi

Zjarret vazhdojnë të shkrumbojnë Kaliforninë, duke shkaktuar evakuimin e mijëra njerëzve. Era e fortë po i shtyn zyrtarët të mbyllin krejtësisht rrjetin elektrik për të shmangur zjarre të tjera që do të rezultonin katastrofike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn, njofton se si njerëzit po përpiqen të përballojnë në mbarë këtë shtet amerikan.

Këto javë të rrezikshme në shtetin e Kalifornisë janë mbizotëruar nga thatësira. Mijëra njerëz në veri dhe një jug të këtij shteti janë duke u larguar nga shtëpitë për t’i shpëtuar zjarreve. Era me shpejtësi deri në 90 milje në orë, i ka shtyrë kompanitë e energjisë të presin energjinë si masë parandaluese për gati 1 milionë njerëz. Gjithashtu, tymi mbizotëron kudo.

Rimorkiot janë vendosur për të ndihmuar njerëzit pa energji. Ata vijnë për të karikuar telefonat, kompjuterat portativë, paisjet mjekësore, apo edhe për të pirë një kafe.

“Jam çorientuar disi. Nuk i përmbush dot më afatet”, thotë Jana Cole, e cila punon si përkthyese dokumentash.

Ajo nuk është e vetmja. Edhe të tjerët këtu përpiqen të vazhdojnë jetën e tyre edhe pa energji.

“Dua të jem i mirëinformuar se si po shkojnë shkollat, cilat janë hapur dhe cilat mbyllur”, thotë Gary Yee, anëtar bordi i shkollës në Oakland.

“Po e zhvilloj biznesin nëpërmjet telefonit”, thotë John Speec, këshilltar investimesh.

Guvernatori i shtetit shpalli gjendjen e emergjencës dhe zjarrfikësit po luftojnë gati 330 zjarre në mbarë Kaliforninë. Të hënën, një qetësim i erës, u dha shansin zjarrfikësve të zmbrapsin flakët më të mëdha në pjesën veriore. Por, pranë muzeut të famshëm Getty në Los Anxhelos, zjarri vazhdon të rritet, ndërkohë që pritet edhe forcim i erës.

Për banorët ekziston një ndjesi ankthi sa herë kalojnë udhëkryqe pa semaforë, ndërsa frymëmarrja merr tymin e zjarrit.

“Kur djali im u zgjua sot në mëngjes, ai mendoi se zjarri ishte brenda në shtëpi”, thotë Madi Douglas, banore e Kalifornisë.

Njerëzit në Kaliforni janë mësuar të mendojnë për tërmetet dhe shkatërrimin e mundshëm, por tashmë iu duhet të shqetësohen edhe për erën që mund ta shndërrojë një shkëndijë në një ferr.

“Ne jemi nga Florida, ku ka uraganë. Por, kjo këtu është pak më e frikshme. Tërmetet dhe zjarret janë më të frikshëm”, thotë zonja Douglas.

Njerëzit në Kaliforni po kuptojnë se sa varet gjithçka nga funksionimi i infrastrukturës, madje edhe jeta e kësaj hardhuce shtëpiake që varet nga temperatura. Një dyqan në Berkeley ka hapur dyert për hardhucat dhe gjarpërinjtë shtëpiakë, pronarët e të cilëve janë larguar nga shtëpitë që kanë mbetur pa energji. Ndërsa zjarri dhe era punojnë për të sjellë shkatërrim, njerëzit në Kaliforni po i përshtaten realitetit./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu