Kreu i FIFA-s për zhvillimin global të futbollit, Arsene Wenger, ka bërë thirrje që të bëhen reforma në rregullat për ndershmëri financiare (FFP), pasi që beson se nga rregullat aktuale përfitojnë vetëm klubet elitare evropiane, por pamundësohen investimet te klubet më të vogla.
Implementimi i rregullave për ndershmëri financiare u bë në fillim të sezonit 2011/12, në tentim për ta mbrojtur mbijetesën afatgjate të klubeve duke u siguruar që ato të mos lejohen të shpenzojnë më shumë para sesa që fitojnë, gjë që do të krijonte probleme financiare në të ardhmen.
Dhe përderisa ish-trajneri i Arsenalit, Wenger, beson se FFP-ja ka pasur disa ndikime pozitive, ai dëshiron që të relaksohen rregullat për klubet më të vogla, pasi që rregullat aktuale nuk lejojnë investime të mëdha në këto klube.
“Unë jam pro masave për kontrollime të menaxhmentit të klubeve, pro masave që caktojnë kufij. Ne duhet ta vlerësojmë menaxhimin cilësor dhe duhet ta inkurajojmë dhe promovojmë”, ka thënë Wenger.
“Unë jam gjithashtu pro lejimit të më shumë investimeve, të cilat nuk i lejon FFP-ja. Klubet që e dominojnë Evropën sot janë ato që janë ndërtuar dhe kanë bërë investime gjatë kohës sa nuk ekzistonte FFP-ja”.
“FFP-ja ua pamundëson investimin klubeve më të vogla që duan ta bëjnë gjë të tillë. Kjo nuk normale”.
Wenger gjithashtu beson se klubet e mëdha të Evropës i përdorin rregullat ashtu si u konvenon, duke bërë presion që rregullat të aplikohen në mënyrë strikte te klubet më të vogla, në mënyrë që ta kufizojnë numrin e konkurrentëve.
“Këto rregulla e kanë një hierarki fikse, klubet historikisht më të mëdha bëhen gjithnjë e më të mëdha dhe, natyrisht, ata luftojnë që rregullat e FFP-së të aplikohen në mënyrë strikte te klubet e tjera, në mënyrë që të mos u dalin më shumë konkurrentë”.
“Duhet të ketë kontrolle rigoroze për menaxhimin e klubeve, duhet të verifikohet se nga ku po vijnë fondet, por duhet edhe t’i inkurajojmë njerëzit të investojnë në futboll. FFP-ja duhet të bëhet më fleksibile dhe të lejojë më shumë investime”.