Një këshilltare për çështjet e jashtme të nënpresidentit Mike Pence po dëshmon sot pas dyerve të mbyllura në hetimin që ka në shënjestër Presidentin Donald Trump dhe që synon ngritjen e akuzave për shkarkimin e tij.
Jennifer Williams ka qenë një ndër ata që kanë dëgjuar telefonatën e Presidentit Donald Trump në korrik, ku ai i kërkonte Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy që të niste një hetim që mund ta ndihmonte politikisht zotin Trump.
Hetuesit e Dhomës së Përfaqësuesve po përpiqen të mësojnë se sa dinte nënpresidenti Pence rreth përpjekjeve të zotit Trump që Ukraina të hetonte një prej rivalëve të tij demokratë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ish-nënpresidentin Joe Biden, në një kohë kur zoti Trump kishte bllokuar përkohësisht një ndihmë ushtarake prej 391 milion dollarësh për Kievin.
Këshilltarja Jennifer Williams ishte e pranishme gjatë telefonatës, kur zoti Trump i kërkoi Presidentit Zelenskiy “një favor” – hetimin e zotit Biden dhe djalit të tij, Hunter, që punonte për një kompani ukrainase të gazit natyror.
Për më tepër, ajo e shoqëroi nënpresidentiun Pence në një takim me zotin Zelenskiy në Varshavë më 1 shtator, ndërsa diskutohej për ndihmën ushtarake./VOA