Kthimi i Mike Tysonit ka qenë ndër temat kryesore në botën e boksit gjatë javëve të fundit, ndërsa së fundi kampioni Tyson Fury ka pretenduar se ai e ka pranuar një ofertë të ndeshet në një meç për bamirësi me 53-vjeçarin.
Mike Tyson pritej të ndeshej me ndonjë ish-boksier të moshës së tij, pasi e lajmëroi kthimin e tij në ring për një meç bamirës, përderisa përflitej meçi i shumëpritur kundër Evander Holyfield.
Megjithatë, tani duket se Tyson është i gatshëm të ndeshet me një kampion aktual të boksit, Furyn që mban titullin e WBC.
“Unë e mora një telefonatë ku m’u ofrua mundësia të ndeshem me Mike Tysonin. Unë menjëherë mendova: “Çfarë?!” Natyrisht se pranova menjëherë”, ka thënë Fury.
Megjithatë, kampioni i WBC, i cili e fitoi titullin e tij duke e mposhtur Deontay Wilderin në shkurt, nuk mendon se do të zhvillohet ky meç.
“Por, nuk mendoj se diçka është materializuar nga ajo bisedë. Kështu që po, mendoj që ai e ka seriozisht kur thotë se dëshiron të kthehet për një meç”.