Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, William Taylor, raportoi të martën para komitetit të Kongresit për hetimin e presidentit, duke treguar se si Donald Trump vazhdimisht ka kërkuar që t’i bëjë kushte një samit dhe ndihmën ushtarake për Ukrainën për fillimin e hetimeve kundër kundërshtarit politik, Joe Biden.
Raportimi i ambasadorit Taylor ishte më i riu në një varg rrëfimesh nga disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë amerikanë si pjesë e hetimeve për shkeljet e mundshme të presidentit. Ai dyshohet se e ka përdorur pushtetin dhe ndikimin e tij politik për t’i bërë presion qeverisë ukrainase që t’i hetojë rivalët politikë.
Taylor, i cili u zgjodh ambasador në Ukrainë në qershor të këtij viti, raportoi para komitetit të Kongresit me dyer të mbyllura, por deklarata e tij fillestare u publikua pak orë më vonë. Merret vesh se diplomati veteran tha: “Isha i shqetësuar për marrëdhëniet tona me Ukrainën, sepse ato po rrezikoheshin nga një kanal joformal dhe i çrregullt i bërjes së politikës amerikane dhe nga tërheqja e ndihmës jetike ushtarake për arsye të brendshme politike”.
Ai shtoi se ky kanal i çrregullt i ndikimit politik është udhëhequr nga presidenti Trump përmes disa të dërguarve, përfshirë avokatin personal, Rudy Giuliani, sekretarin për energji, Rick Perry, ambasadorin amerikan në BE, Gordon Sondland dhe të dërguarin special në Ukrainë, Kurt Volker.
Këto figura kishin për qëllim që ta bindin presidentin e ri të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, që t’i fillojë disa hetime që do të mund t’i dëmtonin demokratët dhe sidomos kandidatin për president, Joe Biden, shkruan “The Guardian”.