Këshilltari i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare thotë se zoti Trump do ta kritikojë presidentin e Turqisë lidhur me vendimin e tij për të blerë një sistem rus të mbrojtjes ajrore, ndërsa udhëheqësit takohen të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë.
Robert O’Brien tha gjatë një interviste në emisionin “Face the Nation” të kanalit televiziv CBS se, Shtetet e Bashkuara janë shumë indiniuara lidhur me blerjen nga Turqia të sistemit rus S-400.
Zoti O’Brien tha se nëse aleati i NATO-s nuk heq dorë nga ai sistem, Turqia ka të ngjarë të përballet me sanksione amerikane. Ai tha se ky ishte mesazhi që Presidenti Trump do t’i përcillte Presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Shtetet e Bashkuara thonë se sistemi S-400 nuk përputhet me forcat e NATO-s, mund të kompromentojë programin e avionëve luftarakë F-35 dhe ndihmojë inteligjencën ruse.
Administrata e Presidentit Trump e nxori Turqinë jashtë programit për avionin F-35 në muajin korrik. Presidenti amerikan do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg të enjten.