Trajneri i njohur shqiptar nga Shkupi, i cili jeton në Malmo të Suedisë, Agim Sopi, është bërë me klub të ri.
Ish trajneri i kampionëve të Kosovës, Feronikeli nga Drenasi, ka marrë drejtimin e skuadrës së FF Osterlen, i cili garon në Ligën e katërt suedeze.
51 vjeçari i ka thënë gazetarit Reshat Ibrahimi se me FF Osterlen ka nënshkruar deri në nëntor të këtij viti.
Ai ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një klub me ambicie të mëdha që për synim ka ngjitjen në Ligën e tretë.
“Është një skuadër me ambicie të mëdha, të cilët janë përforcuar me futbollistë të ligave kryesore në Suedi. Gjithashtu në radhët e tyre kanë edhe lojtarë të rinj të talentuar. Shpresoj se me një punë dhe përkushtim të madh të të gjithëve në klub do t”ia arrijmë qëllimit”, deklaroi Agim Sopi për gazetarin Reshat Ibrahimi.
Kujtojmë se, Agim Sopi më herët në Suedi ka qenë trajner i skuadrës Landskrona.