Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e pranon se Djajtë e Kuq duhet të përmirësohen edhe më shumë sezonin e ardhshëm nëse duan të garojnë me Liverpoolin dhe Manchester Cityn.
Manchester Unitedi është duke luftuar për vendin e tretë në tabelë dhe kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Se a do t’i arrijë këto dy qëllime do të zbulohet në ndeshjen finale të sezonit të Premierligës, kundër Leicester Cityt.
Edhe pse radhitja në pozitën e tretë në tabelë do të ishte një rezultat pozitiv për Djajtë e Kuq pasi që në gjysmë të sezonit ishte vlerësuar si synim i paarritshëm, tifozët e Unitedit po kërkojnë edhe më shumë.
Pasi që rivalët si Manchester City dhe Liverpooli kanë qenë duke marrë suksese të mëdha në këto sezonet e fundit, Solskjaer është i vetëdijshëm se ai ka ende punë për të bërë për ta arritur nivelin e këtyre dy rivalëve.
“Ne nuk kemi arritur ende asgjë. E kemi edhe një ndeshje të mbetur për ta dëshmuar se ne jemi përmirësuar si skuadër”, ka thënë Solskjaer.
“Nëse e marrim një rezultat pozitiv kundër Leicesterit, mendoj se njerëzit do të thonë se ky rrugëtim ka qenë i mirë. Por, ende s’e kemi arritur fundin e këtij rrugëtimi. Kur të arrijmë atje, nuk do të relaksohemi, por duhet të ecim përpara dhe ta synojmë hapin e radhës”.
“Ne e dimë se i kemi dy ekipe të tjera shumë larg përpara nesh, kështu që duhet të përmirësohemi edhe më shumë”.