Rangnick konfirmon bisedimet me Milanin për pozitën e trajnerit.
Drejtori i Red Bull Leipzigut, Ralf Rangnick, i ka konfirmuar bisedimet me Milanin dhe ka thënë se nuk mund ta përjashtojë mundësinë që të bëhet trajneri i ardhshëm i kuqezinjve.
Ish-trajneri i RB Leipzigut dhe Schalke 04 ka qenë nën radarin e pronarëve të Milanit, kompanisë Elliot Management, të cilët e shohin atë si të përsosur për postin e trajnerit.
Interesimi i Milanit për Rangnickun është raportuar që një kohë nga mediumet italiane dhe çoi deri edhe te shkarkimi i drejtorit të klubit, Zvonimir Boban, pasi që ai e kundërshtoi mënyrën se si drejtori ekzekutiv Ivan Gazidis e kishte kontaktuar Rangnickun pa e njoftuar atë.
Tani edhe vetë Rangnicku i ka konfirmuar bisedimet me Milanin, duke bërë kështu që e ardhmja e Stefano Piolit në pozitën e trajnerit në San Siro të jetë edhe më e pasigurt sesa më parë.
“Unë nuk mund ta përjashtoj këtë mundësi plotësisht. Milani pyeti se a jam unë në dispozicion, unë u këshillova me klubin tim dhe kishte bisedime me agjentin tim”, ka thënë Rangnick.
“Pas atyre bisedimeve, shpërtheu koronavirusi dhe u ngritën probleme më të rëndësishme. Milani dhe Lega kanë tani gjëra të tjera për të cilat duhet të mendojnë”.