Titulli mund të humbet vetëm nga Reali? Zidane e sheh gjysmën e gotës bosh…

0
Gjigandi

Zinedine Zidane foli në intervistën pas ndeshjes, të cilën të tijtë e fituan me mjaft mundime në “Alfredo Di Stéfano”, me rezultatin 1-0 kundër Getafe. Tani, diferenca e të bardhëve me Barcelonën ka shkuar në 4 pikë: “Dihej që para ndeshjes se do të vuanim shumë. Në pjesën e parë kundërshtari luajti shumë i ngjeshur prapa dhe kjo na e vështirësoi punën. Me durim mundëm ta shënonim një gol. Duhej të ruanim qetësinë, sepse Getafe mbrohej mirë. Dua t’i përgëzoj lojtarët, sepse nuk ishte e lehtë fizikisht dhe mendërisht.

Kjo ishte ndeshja më e vështirë, pas rifillimit të kampionatit. Vuajtëm dhe shënuam vetëm një gol, në minutën e 79-të. Kjo tregon pse me të vërtetë duam ta fitojmë këtë titull. Diçka më shumë se tri pikë? Jo, janë vetëm aq, por shumë të rëndësishme, sepse duhej të fitonim dhe e bëmë këtë. Tani kanë mbetur edhe pesë finale. Gjëja më e rëndësishme është të pushojmë dhe të mendojmë për ndeshjen tjetër. Sot kemi fituar gjysmën e titullit? Unë nuk jam dakord, sepse gjithçka do të vendoset në fund.

Deri sa të mbarojë kampionati nuk mund të thuash që e ke fituar trofeun. Jam krenar për ekipin, për përpjekjen dhe solidaritetin. Titulli mund të humbet vetëm nga Real Madridi? Jo, sepse në fund të fundit ky është futbolli, ka edhe palë të tjera. Çdo tri ditë po luajmë një ndeshje. Sot vuajtëm shumë, ku i dihet në vazhdim. Ngarkesa fizike dhe mendore është e jashtëzakonshme. Sidoqoftë, pa vuajtje, gjërat nuk mund të arrihen në një kampionat si ky.

Ka qenë e vështirë për ne që të shënojmë gola kohët e fundit, por kur bëhet fjalë për mbrojtjen, kemi ekuilibër mjaft të mirë. Po nuk pësove mbetesh gjithë kohën në lojë. Qetësia e Ramos nga pika e bardhë? Kapiteni është lideri ynë në fushë. Ai është një lojtar i papërsëritshëm, unik, ne e dimë se çfarë transmeton te të tjerët. Unë jam i lumtur për golin e tij. Ramos është shumë i sigurt në goditjen e penalltive”.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu