Policia e Tiranës po ushtron kontrolle me agjentë civilë dhe shërbime të hapura pranë shkollave të kryeqytetit, për parandalimin dhe goditjen e tentativës për shpërndarje të lëndëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve, në afërsi të një shkolle u kapën dhe arrestuan në flagrancë dy të rinj, në tentativë për të shpërndarë lëndë narkotike. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, bëri arrestimin në flagrancë të shtetasve D. A., 27 vjeç dhe M. K., 22 vjeç (të dy banues në Tiranë). Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, rreth orës 12:25 kanë ushtruar kontroll në ambientet përreth një shkolle në Tiranë, ku kanë kapur në flagrancë shtetasit D. A. dhe M. K., të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin aktivitetin e kundërligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike (Cannabis Sativa). Gjatë kontrollit, u është gjetur një sasi dozash me lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa, me peshë 23.6 gr, të cilat u u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”.