Ministria e Shëndetësisë së Spanjës është duke vlerësuar nëse mund të lejojë që tifozët e futbollit të kthehen në stadiume kur edicioni të rifillojë më vonë në qershor, pas pushimit tremujor për shkak të pandemisë. Këtë e ka bërë të ditur Fernando Simon, zyrtar i lartë shëndetësor.
Simon ka shpjeguar se regjionet që kanë lëvizur në fazën tre të lehtësimit të masave mund të autorizohen për të organizuar ndeshjet me shikues. Por ai e ka lënë të hapur mundësinë që të parandalohet kjo në interes të drejtësisë sportive.
La Liga rifillon më 11 qershor kurse Segunda Division një ditë më vonë. Aktualisht është në fuqi vendimi që të gjitha ndeshjet të luhen pa shikues, për të parandaluar valën e dytë të përhapjes së koronavirusit.
Skuadra e kategorisë së dytë, Las Palmas ka iniciuar një diskutim për kthimin e tifozëve. Presidenti i këtij klubi, Miguel Angel Ramirez ka thënë se shpreson se tifozët do të mund të përcjellin ndeshjen e parë ndaj Gironas.
Simon ka thënë se çështja është diskutuar të martën në një takim “online” në mes të ministrit të shëndetësisë, Salvador Illa, ministres së sportit, Irene Lozano dhe katër lojtarëve të La Ligas, duke përfshirë Gerard Piquen e Barcelonës dhe Koken e Atletico Madridit.
Sipas tij lojtarët dhe departamenti për sport nuk duan që tifozët të jenë në ndeshje, derisa të gjitha klubeve t’iu lejohet kjo.
“Departamenti i sportit është pajtuar për këtë me lojtarët. Vendimi nuk ka ardhur nga departamenti shëndetësor pasi nuk është diçka që e kemi konsideruar kur kemi vlerësuar rreziqet”, ka thënë Simon. “Nuk kemi dhënë ndonjë përgjigje të prerë pasi qartë se nuk jemi në pozitë për të bërë këtë, por është e vërtetë se ministria e shëndetësisë është zotuar të vlerësojë rreziqet”.