Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, nuk pranoi ta kritikojë skuadrën e tij pas barazimit me rezultat 2:2 kundër Southamptonit, duke thënë se goli i pësuar në fund të ndeshjes do të shërbejë si mësim për skuadrën.
Southamptoni kaloi në epërsi në fillim të ndeshjes përmes golit të shënuar nga Stuart Armstrong, mirëpo Manchester Unitedi reagoi shpejt përmes golave të shënuara nga Marcus Rashford dhe Anthony Martial.
Djajtë e Kuq dukej se do të ngriheshin në pozitën e tretë në tabelë, mirëpo ata mbetën të pestit dhe jashtë vendeve të Ligës së Kampionëve, pasi Michael Obafemi ia fitoi një pikë Southamptonit me golin e tij të shënuar në momentet e fundit të ndeshjes.
Solskjaer s’pranoi ta lejojë këtë barazim ta humbë punën e deritanishme të skuadrës dhe tha se ky barazim është pjesë e mësimeve që duhet t’i marrë skuadra e tij.
“Ai është momenti më i keq për të pranuar gol, por kjo ndodh në futboll. Duhet ta pranosh sepse ne i kemi fituar shumë ndeshje në atë mënyrë edhe vetë”, ka thënë Solskjaer.
“Kjo është pjesë e mësimeve që duhet t’i marrë skuadra – se si është të jesh aty i zhgënjyer, pasi ke menduar se i ke marrë tre pikët e ndeshjes”.
“Me gjasë nuk e merituam fitoren sot. Ata luajtën mirë, ishim fizikisht shumë të mirë. Ne nuk e arritëm ritmin tonë në pasime sot, veçanërisht pasi dolëm në epërsi me rezultat 2:1. Por, krijuam raste dhe luajtëm futboll fantastik në disa raste”.