Skandali në Lushnje/ Gjykata e Shkallës së Parë gjykon vendimin e ekzekutuar të Gjykatës së Shkallës së Parë!

0
Gjigandi

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës një skandal në Gjykatën e Shkallës së Parë të Lushnjes, e cila gjykoi një vendim të ekzekutuar po të Gjykatës së Shkallës së Parë! Pra, dy vendime nga e njëjta gjykatë për të njëjtën çështje, ku një trup gjykues vendos se disa dokumente duhen asgjësuar dhe një tjetër trup gjykues vendos që asgjësimi të pezullohet.

Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua z.Sefedin Shefa, i cili prej 26 vitesh po endet në dyert e gjykatës, prokurorisë dhe hipotekës për të fituar të drejtën e një trualli në ish-kinema Lushnje. Disa muaj më parë, emisioni investigativ faktoi se prej shumë vitesh, disa dokumente të falsifikuara ndodheshin në zyrat e shtetit dhe askush nuk merrte vendim për t’i asgjësuar. Pas investigimit, Gjykata e Lushnjes vendosi që t’i asgjësoje pikërisht këtë vendim! Në datën 23 dhjetor 2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnje pranoi kërkesën e z.Sefedin Shefa për fshirjen e dokumenteve të konstatuara të falsifikuara nga Prokuroria e Lushnjes. Më pas, në datë 14 janar 2020, prokurori i Lushnjes, Artan Hazbi, ka lëshuar një urdhër për ekzekutimin e vendimit penal “për fshirjen e dokumenteve të konstatuara të falsifikuar”.
“Vendimi i gjykatës mori formë të prerë në datën 7 janar. Gjykata i vendosi vendimit një vulë ‘formë e prerë’ dhe shkoi në prokurori për t’u ekzekutuar. Në datën 14 janar 2020 prokurori Artan Hazbi lëshoi një urdhër ekzekutimi për asgjësimin e dokumentit fals që ndodhej në Kadastër. Dhe kjo e fundit, pranoi kërkesën e prokurorit” thotë Shefa. Kur të gjithë mendonin se vendimi u ekzekutua dhe dokumentet false duhet të asgjësoheshin, ndodh çudia e radhës!
Për të njëjtën çështje, Gjykata e Lushnjes në datën 24 shkurt 2020 rrëzoi vendimin e parë, duke urdhëruar pezullimin e ekzekutimit të vendimit të prokurorit Artan Hazbi të datës 14 janar 2020. Në këtë proces, prokuror ka qenë vetë z.Artan Hazbi. Sefedin Shefa thotë se vendimi i dytë është nonsens, pasi vendimi i parë është ekzekutuar! Ai ngre pikëpyetje dhe thotë se si mund gjykata e Lushnjes të gjykojë vetveten! “Vetëm me Fiks Fare do e çoj drejtësinë në vend. Pas 26 vitesh, këta më sorollasin sërish” thotë ai.
Aktualisht, për të njëjtën çështje ka dy vendime gjykate! Por, cilin vendim ka zbatuar Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë? Gazetarët e Fiks Fare shkuan disa herë për të pyetur prokurorin Artan Hazbi, se përse nuk apeloi vendimin e dytë. Por, po në kaq tentativa, prokurori nuk dha asnjë shpjegim. Punonjësit e prokurorisë thanë se prokurori nuk dëshironte të na jepte informacion për këtë çështje. Fiks Fare i dërgoi një kërkesë zyrtare prokurorisë së Lushnjes, por deri në transmetimin e këtij investigimi, prokuroria nuk na ktheu përgjigje.
Gazetarët shkuam edhe pranë Gjykatës së Lushnjes për të pyetur nëse vendimi i datës 23 dhjetor ishte apo jo i formës së prerë. Sekretaria e Gjykatës së Lushnjes na konfirmoi se “ky vendim është i formës së prerë”. Fiks Fare tentoi të pyesë gjyqtaren Lorena Çabëj se si mund ajo të gjykonte një vendim po të shkallës së parë. Apo një vendim tashmë të ekzekutuar. Punonjësi i gjykatës u komunikoi gazetarëve të Fiksit se “gjyqtarja nuk dëshiron të na japë shpjegime”. Fiks Fare i drejtoi një kërkesë zyrtare gjyqtares Lorena Çabej, e cila na u përgjigj se: “Në lidhje me vendimin me numër 31, të datës 24 shkurt 2020, të gjitha pyetjet që ngrini janë të sqaruara në mënyrë të qartë dhe të plotë në arsyetimin e vendimit. Kam bindjen se nëse vendimi lexohet nga një jurist, në përmbajtje të tij do të gjenden përgjigjet e të gjitha pyetjeve tuaja”.
Në fakt, emisioni Fiks Fare ia dërgoi disa juristëve dy vendimet e gjykatës, të datës 23 dhjetor 2019 dhe të datës 24 shkurt 2020. Dhe, përgjigjet e tyre kanë qenë të njëjta: Padia mund të shqyrtohej, por kurrsesi Gjykata e Lushnjes nuk mund të pezullonte një vendim të saj, aq më tepër të ekzekutuar!

Burimi: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu