Hungaria ka vendosur t’i mbyllë kufirin Shqipërisë, duke e konsideruar vend me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e Covid-19.
Qeveria e kryeministrit Viktor Orban vendosi kthimin e kufizimeve për udhëtimet, vetëm 2 muaj pas heqjes së tyre, kur u hapën kufijtë për udhëtarët nga Bashkimi Evropian dhe të tjera vende jo anëtare.
Sipas rregullave të reja, shtetet do të kategorizohen në vende të verdha dhe të kuqe, sipas trendeve të përhapjes së Covid-19.
Përveç Shqipërisë, edhe shtetas nga Kosova, Mali i Zi dhe Ukraina nuk do të mund të udhëtojnë drejt Hungarisë, ndërsa nuk do të ketë probleme për udhëtarët nga Serbia, Bullgaria, Portugalia, Mbretëria e Bashkuar apo Suedia.
“Këto kufizime janë vendosur për të mbrojtur sigurinë tonë,” u shpreh shefi i kabinetit të Orban, Gergely Gulyas në fjalën e tij.
Sipas rregullave të reja edhe shtetasit hungarezë që kthehen nga vendet të listuara si “të verdha” dhe “të kuqe” do të duhet të bëjnë kontrolle mjekësore në kufi dhe do të duhet të kalojnë në 14 ditë karantinë edhe nëse nuk janë të infektuar.
Qeveria hungareze siguron se lista do të ndryshohet sërish në varësi të kushteve të secilit vend. Udhëtimet tranzit, kargot dhe udhëtimet për biznes përjashtohen nga kjo listë, por kontrollet mjekësore janë kusht parësor.