Shitja e automobilave në tremujorin e parë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është ulur në Evropë.
Efektet negative të llojit të ri të epidemisë së koronavirusit (Covid-19) që preku botën, u pasqyruan në shitjet e automjeteve në muajin e fundit dhe tremujorin e parë të vitit.
Sipas raportit të vlerësimit të tregut evropian të automobilave, tregu total i vendeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) dhe Anglisë, në çerekun e parë të këtij viti u ulë për 26,3 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë dhe u realizua në nivel 54 mijë e 703 copë.
Ulja më e madhe u pa në Itali, e cila u ndikua më së shumti nga epidemia, me 35,5 për qind. Pas Italisë, shitjet ranë edhe në Francë me 34,1 për qind, në Austri me 32,4 për qind, në Gjermani me 20,3 për qind dhe në Spanjë dhe Angli me 31 për qind.
Vendi që shet më shumë automobila në Evropë ishte Gjermania. Ajo pasohet nga Anglia, Franca, Italia dhe Spanja.
Vendet që rritën shitjet e tyre në tremujorin e parë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019 ishin Lituania me 5,2 për qind dhe Qiproja greke me 5 për qind.
Duke marrë parasysh vetëm muajin e kaluar, tregu i makinave në Evropë u ul me 51,8 për qind në krahasim me marsin 2019. Ulja më e madhe është regjistruar në Itali me 85,4 për qind, Francë me 72,2 për qind dhe Spanjë me 69,3 për qind.
I vetmi vend që rriti shitjet e tij ishte Islanda me 0.4 për qind.