Shefi i Pentagonit: Ankaraja në drejtimin e gabuar pas marrëveshjes me Moskën

0
Gjigandi

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper tha se ofensiva e Turqisë kundër kurdëve në Sirinë verilindore ishte “e pajustifikuar” dhe se Ankaraja “po shkon në drejtim të gabuar” pas marrëveshjes së saj me Moskën për të patrulluar së bashku një “zonë të sigurt” në rajon.

“Turqia na vendosi në një situatë tejet të vështirë”, tha zoti Esper të enjten në një takim të Fondit Gjerman Marshall përpara një takimi të NATO-s në Bruksel.

Forcat turke kryen një ofensivë ushtarake në veri të Sirisë në fillim të këtij muaji pas vendimit të Uashingtonit për të tërhequr trupat nga ky rajon. Më pas Shtetet e Bashkuara ndihmuan për ndërmjetësimin e një armëpushimi të inkursionit turk.

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se kishte marrë garanci nga Turqia për ndaljen përfundimtare të ofensivës, një zhvillim siç tha ai, i dha mundësinë SHBA-së të heqë sanksionet e vendosura kohët e fundit ndaj Ankarasë. Ai tha se përgjegjësia për paqen në rajon, duhet t’u lihet të tjerëve.

“Ne u kemi bërë atyre një shërbim të shkëlqyer”, tha zoti Trump lidhur me përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund luftimeve mes Turqisë dhe Forcave Demokratike të Sirisë Kurde (SDF), partner kryesor në fushatën e udhëhequr nga SHBA-ja për të mposhtur Shtetin Islamik.

RonaTyra

Njoftimi i zotit Trump erdhi disa orë pasi ai tha se Turqia i dha garanci se fushata ushtarake në Sirinë verilindore, me qëllim pastrimin e kufirit turko-sirian nga luftëtarët kurdë, ka mbaruar. Ankaraja i konsideron kurdët si terroristë.

Të enjten në një postim në Twitter presidenti shkruante se: “puset e naftës në brendësi të Sirisë ishin nën kontrollin e ISIS-it dhe Shtetet e Bashkuara me ndihmën e kurdëve tashmë kanë kontrollin mbi to”. Ai shtonte se “SHBA nuk do të lejojë kurrë që ISIS-i i ringjallur t’i ketë ato sërisht”.

Ndërsa zoti Trump të mërkurën përshëndeste armëpushimin e ndërmjetësuar nga SHBA si një “sukses i madh”, një ditë më parë Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan njoftoi një marrëveshje me Rusinë.

Sipas marrëveshjes së negociuar me presidentin rus Vladimir Putin në vendpushimin e Detin e Zi në Soçi, kërkohet largimi i forcave kurde nga një zonë edhe më gjerë përgjatë kufirit sirian-turk si dhe parashikohen patrullime të përbashkëta. Zëdhënësi i SDF-së Mustafa Bali tha të enjten se forcat e mbështetura nga Turqia po vazhdojnë të shkelin armëpushimin.

“Ushtria turke ka sulmuar fshatrat e Asadiya-t, Mishrafa-t dhe Manajer-t me një numër të madh mercenarësh dhe të gjitha llojet e armëve të rënda, pavarësisht armëpushimit”, shkruante ai në twitter. “SDF-ja do të ushtrojë të drejtën e vet për vetëmbrojtje legjitime. Ne nuk jemi përgjegjës për shkeljen e marrëveshjes”, shkruante më tej ai.

Zëdhënësi i SDF-së i bëri thirrje të gjitha palëve veçanërisht SHBA-së të monitorojë zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga ajo vetë dhe të vendosë siç tha, përpara përgjegjësisë shkelësit e saj.

Deri më tani zyrtarët e administratës autonome të drejtuar nga Kurdët në verilindje të Sirisë vlerësojnë se 250 burra, gra e fëmijë janë vrarë që nga momenti kur Turqia filloi inkursionin e saj, pas tërheqjes më 6 tetor të forcave speciale amerikane nga kufiri turko-sirian.

Treqind persona të tjerë rezultojnë të humbur dhe sipas disa njoftimeve, dhjetëra të tjerë janë plagosur si rezultat i përdorimit të fosforit të bardhë dhe armëve kimike, një akuzë që zyrtarët turq e mohojnë me forcë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu