Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, thotë se Liga e Kampionëve nuk është duke u rrezikuar dhe se do të kompletohet me formatin e ri për këtë sezon, përkundër numrit të madh të rasteve të reja në Lisbonë të Portugalisë.
Përhapja e koronavirusit në botë bëri që pothuajse të gjitha garat e futbollit në Evropë të suspendoheshin në mars. Tani, Liga e Kampionëve planifikon kthimin me një mini-turne në Lisbonë gjatë muajit gusht.
Megjithatë, tashmë është bërë e ditur se nga e mërkura e kësaj jave, 19 lagje në kryeqytetin portugez do të vendosen nën rregulla strikte të karantinës, duke i limituar tubimet në maksimalisht pesë persona.
Por, Ceferin ka tentuar t’i qetësojë tifozët e shqetësuar, duke thënë se është i bindur që gjithçka do të shkojë mirë.
“Jam i bindur se bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm mes të gjithë aksionarëve do të na i mundësojë ta përfundojmë sezonin në mënyrë pozitive në Lisbonë. S’kemi nevojë për Plan B”, tha Ceferin.