Ka mjaftuar një intervistë e Gian Piero Gasperinit, trajnerit të Atalantas, për Gazzetta dello Sport, për të ngjallur reagimin e menjëhershëm të Valencias.
Trajneri italian rrëfeu se ishte infektuar dhe kishte shfaqur simptomat e para që përpara ndeshjes së Champions League, përballë Valencias. Në një komunikatë për shtyp, klubi i “Mestalla”-s ka reaguar sidomos duke ditur se 35% e organikës së iberikëve u infektua nga epidemia.
“Pas deklaratave të trajnerit të Atalantas, Gian Piero Gasperini, Valencia shprehet publikisht e befasuar për faktin se trajneri i skuadrës rivale në fazën e 1/8-ve të Champions League pranon se përpara ndeshjes së datës 10 mars në “Mestalla” ishte i vetëdijshëm se simptomat që kishte shfaqur mund të kishin lidhje me koronavirusin, duke mos marrë masa parandaluese dhe duke rrezikuar shumë persona gjatë udhëtimit në Valencia”.