FSHF bën me dije se kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë ndeshje miqësore ndaj Armenisë më 7 tetor 2020. Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur tashmë një marrëveshje me Federatën Armene të Futbollit, që kjo ndeshje të luhet në kryeqytetin armen, Jerevan.
Shqipëria dhe Armenia janë përballur 5 herë në ndeshje zyrtare dhe miqësore në historinë e tyre. Ndeshja e parë mes dy përfaqësueseve është luajtur më 9 nëntor 1996 në Tiranë dhe ka përfunduar në barazim 1-1. Sfida ishte e vlefshme për Eliminatoret e Botërorit “Francë 1998”. Takimi i kthimit është luajtur më 6 shtator 1997 në Jerevan dhe u mbyll me fitoren 3-0 për Armeninë.
Shqipëria dhe Armenia u përballën për të tretën herë në një miqësore të luajtur më 14 gusht 2013 në Tiranë, me kuqezinjtë që fituan me rezultatin 2-0.
Gjthashtu, dy përfaqësueset ishin në një grup në eliminatoret e Europianit “Francë 2016”. Në ndeshjen e parë të 29 marsit 2015, luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, Shqipëria fitoi në shifrat 2-1, ndërsa sfida e kthimit e luajtur më 11 tetor 2015 në Jerevan u mbyll me triumfin kuqezi 3-0. Një ndeshje që shqiptarët e mbajnë mend mirë, pasi siguroi kualifikimin e Kombëtares për në finalet e “Euro 2016”.
Përveç miqësores, po në muajin tetor Kombëtarja kuqezi do të zhvillojë edhe dy ndeshje zyrtare të vlefshme për UEFA Nations League, ndaj Kazakistanit në transfertë më 10 tetor dhe ndaj Lituanisë po në transfertë më 13 tetor.