Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të riçelë hetimin për Bib Ndreca me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kjo është hera e dytë e hetimit administrativ për gjyqtarin e dosjes ‘339’, Bib Ndreca.
Për rrjedhojë seanca për shpalljen e vendimit e përcaktuar të mbahej në datë 18.9.2020, ora 9:45, nuk do të zhvillohet. Ndërsa seanca e radhës do të njoftohet sërish ne faqen zyrtare të Komisionit.
Pak ditë më parë, Bib Ndreca tha për Top Channel se vettingu është një provim i rëndësishëm për karrierën e tij. Më tej ai u shpreh se: Është e rëndësishme , siç ne pretendojmë që japim drejtësi edhe nga ana e komisionit të jepet drejtësi për secilin subjekt ashtu siç e meriton dhe siç është e vërteta.
Gjate seancës, së datës 15 shtator, KPK solli si gjetje pasuritë e vëllezërve të gjyqtarit , emigrantë që prej vitit 1991 dhe një truall që ata e blenë në Fushë- Mamurras për gjithë anëtarët e familjes ku dhe investuan .
Gjyqtari theksoi se të ardhurat e vëllezërve nisin kur ai ishte vetëm dhjetë vjeç dhe se toka u ble për të gjithë familjen kur ai ishte ende student duke respektuar të drejtën zakonore. Unë kam vetëm një banesë të blerë me kredi kujtoi gjyqtari, që mbyllet ne vitin 2033.