Reagon ShMDFK për pakon emergjente të FFK-së

0
Gjigandi

Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës (ShMDFK) së fundi ka dalë me një komunikatë për media.

Kjo shoqat shkruan për disa parregullësi të skuadrave kosovare lidhur me mjetet financiare të ndara nga Federata e Futbollit për futbollistët e këtyre skuadrave në këtë kohë pandemie.

Sipas ShMDFK-së, disa klubet kanë përjashtuar disa prej futbollistëve të tyre të cilët kanë qenë përfitues nga pako emergjente e FFK-së.

Më poshtë mund të lexoni komunikatën e plotë të lëshuar nga ShMDFK:

Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës (ShMDFK) fillimisht uron që futbollistët tanë të jenë shëndosh e mirë dhe inkurajon ata të vazhdojnë respektimin në përpikmëri të masave të parapara institucionale, për mbrojtje nga virusi Covid-19 dhe tejkalim sa më të shpejtë të pandemisë.
Shoqata është duke e monitoruar nga afër zbatimin e asistencës financiare, ndihmesë për futbollistët nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK). Në këtë drejtim, në adresë të shoqatës kemi pranuar ankesa nga disa futbollistë të Superligës, Ligës së Parë dhe të Dytë, të cilët përkundër se janë licensuar pranë federatës së futbollit për sezonin kalendarik 2019/20, të njëjtit nuk janë përfshirë në listat e klubeve të tyre respektive për të përfituar nga asistenca financiare e FFK, e dedikuar ekskluzivisht për ta. Për më tepër, klubet e tyre kanë parapëlqyer që në mënyrë arbitrare të përjashtojnë këta futbollistë nga lista e përfituesve të pakos financiare, dhe të favorizojnë anëtarë të stafit administrativ apo të tjerë anëtarë.
Për më tepër, kemi shqetësime të raportuara nga disa futbollistë se klube të caktuara kanë kërkuar nga ta që shuma e përfitimit të lartëpërmendur të kthehet pjesërisht tek klubi. Ne ju bëjmë me dije dhe qartazi, se përfitimi financiar në fjalë nuk duhet cenuar nga ta dhe shuma e dedikuar për lojtar është e paraparë të përfitohet si e plotë. Ritheksojmë se pavarësisht rrogës së rregullt të paraparë si në kontratat e punës me klubet e tyre, shuma financiare është asistencë për mirëqenien individuale të futbollistit e kurrsesi e menduar për destinim të tyre për qëllime tjera. Prandaj edhe është vënë si kriter që të shpërndahet në mënyrë individuale nëpër xhirollogaritë bankare të secilit.
ShMDFK është mirënjohëse për përkrahjen e federatës përmes pakos financiare dhe secilës përkrahje që vie nga institucionet bartëse e që për qëllim kanë ndihmën ndaj futbollistëve sidomos gjatë pandemisë. Rrjedhimisht, bëjmë apel tek FFK që në rast se vendos të vazhdoj me asistencë të ngjashme financiare për futbollistët, të bëhet kujdes i madh dhe të garantohet se përfitues është secili futbollist i licensuar.
Jemi së bashku në këtë betejë, dhe bashkë do t’ia dalim!

RonaTyra

Me respekt.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu