Lazio i ka hedhur poshtë thashethemet se portieri shqiptar Thomas Strakosha ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, duke i quajtur ato lajme të rreme.
Mediat lokale në Romë raportuan gjatë ditës së marte se gardiani i portës së Lazios dhe Kombëtares së Shqipërisë ka koronavirus, transmeton Gazeta Express.
Por shefi mjekësor i Lazios, Ivo Pulcini, e mohoi një gjë të tillë në një intervistë për Radio Punto Nuovo.
“Ky është lajm i rremë”, tha Pulcini.
“Nuk do të futem në hollësi, por fola me njerëzit e përfshirë në këtë dhe kemi qeshur me zë. Strakosha nuk ka Covid-19, e askush tjetër në Lazio”, shtoi ai.
Lazio ua kishte ndaluar lojtarëve të vet të largoheshin nga Roma gjatë karantinës, për dallim nga shumica e klubeve në Serie A, të cilat i kanë lejuar lojtarët e vet të ktheheshin nëpër vendet e tyre përkatëse.