Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e cilësoi një shqetësim serioz dhe një alarm për qeverinë, Kuvendin dhe të gjithë shoqërinë, parashikimin për ngadalësim të rritjes ekonomike të bërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për këtë vit.
Në një reagim në Facebook, Meta tha parashikimi i FMN-së për një ulje me 2.5 pikë përqindje të rritjes ekonomike nga 4.5 për qind që ishin pritshmëritë është shqetësues.
“Me një nivel rritje prej 2 për qind për këtë vit dhe që mund të rishikohet sërish në rënie në vazhdim, Shqipëria ka rritjen më të ulët në rajon, që mund të degradojë në stanjacion ekonomik”, u shpreh Meta.
“Shifrat me ulje të rritjes së pritshme ekonomike me 2.5 për qind janë edhe shumë më poshtë sesa ulja në nivel global për 2022, që pritet të jetë vetëm 0.5 për qind. Bllokuesit e rritjes ekonomike të vendit janë financimi i investimeve jo produktive nga buxheti, eficiencë e ulët e investimeve për shkak të korrupsionit, që gërryen vlerën e tyre, mos lejimi i investimeve private në energji, monopolizimi i ekonomisë, si dhe pasojat e rritjes galopante të çmimeve”, tha Meta.
/abc24.al/