Qendërmbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, thotë se njerëzit nuk duhet të imagjinojnë gjëra kur flasin se a po favorizohet klubi madrilen nga vendimet e gjyqtarëve, duke iu përgjigjur kështu akuzave të Gerard Piques dhe Barcelonës.
Barcelona u mbajt me barazim pa gola në Ramon Sanchez Pizjuan të premten, duke ia lënë kështu mundësinë Real Madridit të barazohet me pikë më katalonasit përmes një fitoreje kundër Real Sociedadit të dielën.
Real Madridi e fitoi atë ndeshje dhe e kaloi kështu Barcelonën në kreun e tabelës së La Ligës për shkak të epërsisë që e kanë shkaku i ndeshjeve direkte të zhvilluara mes dy klubeve, epërsi kjo që e mban në pozitën e liderit edhe pas ndeshjeve të mesjavës.
Pas barazimit, mbrojtësi i Barcelonës, Pique tha se Barcelona do ta ketë të vështirë ta mbrojë titullin e kampiones së La Ligës, pasi që tha se “Do të jetë e vështirë që Real Madridi të humbë pikë” pas asaj që e ka parë nga ndeshjet e para që nga rinisja e sezonit.
Këto komente të Piques u nënkuptuan si sugjerim se gjyqtarët po e favorizojnë Real Madridin, pretendim ky ndaj të cilit ka reaguar Ramos.
“Ka shumë zhurmë në media sepse ne jemi liderë sërish. Unë nuk flisnin shumë më herët. Tani po flasin për VAR, por unë nuk mendoj se ndonjë klub është favorizuar gjatë sezonit”, ka thënë Ramos.
“Ne nuk u kushtojmë vëmendje zhurmave të tilla. Nuk mendoj se gjyqtarët marrin vendime me paramendim. Duket sikur ne të duhej t’i falënderonim gjyqtarët që jemi liderë! Njerëzit nuk duhet të imagjinojnë gjëra”.
“Ne kemi qenë duke punuar shumë dhe, që nga karantina, kemi qenë të bashkuar dhe e meritojmë të jemi aty ku jemi tani”.