Kryeministri Edi Rama prej pasdites së djeshme ndodhet për një vizitë në Athinë.
Rama ka folur për çështjen e detit ne Greqinë, në takimin e organizuar nga “THE ECONOMIST” me temë: Ballkani Perëndimor përtej 2020-s.
Rama është pyetur nga gazetarët e huaj, ndërsa ka shprehur edhe njëherë idenë e tij për të zgjidhur çështje që ka ndezur debate të forta, dhe u shpreh se kjo çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë zgjidhet me ndihmën e palëve të treta, ose gjykatave ndërkombëtare.
“Kur ftoni ballkanasit në panel sigurohuni që të keni më shumë kohë, sepse nga njëra anë ky është një rajon shumë interesant. Për zonjën e nderuar do të thoja thjesht që kjo ka qenë një marrëveshje që është hedhur poshtë nga gjykata kushtetuese e Shqipërisë. Jemi në rrugën e duhur. Kemi zhvilluar një dialog intensiv me qeverinë e kaluar. Befas herë pas here kthehen në çështje të nxehta në zjarrin e politikës lokale,” – theksoi Rama.
“Por janë çështje që nuk kanë zjarr. Sfida jonë është që ta bëjmë politikën midis dy vendeve po aq të shkëlqyera, sa janë marrëdhëniet mes njerëzve, ajo që kuptoj nga miqtë grekë dhe qytetarëve shqiptarë është se nuk ka ndjesi negative, apo mëri mes njerëzve”.
“Ne ua detyrojmë që ti çojmë marrëdhëniet në të tilla nivele.
Lidhur me ndonjë marrëveshje, ndonëse Greqia pretendon zgjerimin me 12 milje, Rama tha se ‘jam besimplotë se jemi në drejtimin e duhur”.
‘Unë kam një ide të thjeshtë që e kam paraqitur më parë dhe shpresoj që sa më shpejt të arrijmë dakordësi. Kur bëhet fjalë për zona detare ta zgjidhim çështjen me të tjerë, nëpërmjet një pale të tretë apo edhe gjykatave ndërkombëtare”.
“Kjo të jetë e drejtë dhe të mos përdoret nga patriotët atje dhe këtu. Kryeministri flet për të drejtë të Greqisë për të shtrirë kufijtë detarë dhe vetëm kjo shndërrohet në çështje në rrjetet sociale në Shqipëri dhe po kështu në qarqet politike, a thua se kryeministri grek duhet tu përgjigjet njerëzve që s’dinë për çfarë flasin. Kjo ndez pakanaqësi” – u shpreh Rama.
Më tej, kryeministri theksoi se Shqipëria nuk është midis dy zjarreve në raport me Greqinë dhe Turqinë.
“Ne jemi në partneritet strategjik me Shqipërinë dhe Greqinë, por Shqipëria nuk është midis dy zjarreve. Unë besoj se ka potencial në këtë marrëdhënie greke-turke që të jetë e dobishme edhe për Evropën. Turqia është instrumental, dhe Greqia është kyçe për kufijtë e Evropës. Presidenti turk nuk është anti-grek. Dhe nuk ka dyshim që e shkuara ka treguar, kur ka vullnet ka edhe zgjidhje, duhet dialog i mirëfilltë. Nuk është e lehtë, por e mundur. Jam i bindur që marrëdheniet konstruktive greko-turke mund të jenë për të mirën e Evropës”, – tha Rama.
Kryeministri shqiptar pranoi se ka pasur bisedime konstruktive me qeverinë Greke, për çështjen e detit. Ai vazhdimisht e ka konsideruar të drejtë pretendimin e palës helene, mbi kërkesën për t’u zgjeruar me 12 milje në Jon.
Por zgjerimi i saj nënkupton ngushtim për palën tjetër, çka e bën të komplikuar marrëveshjen dhe që është kjo aryseja e debateve që janë ndezur kohët e fundit.
Një marrëveshje e vititi 2009 mes Shqipërisë dhe greqisë për detin, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.