Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vizitoi sot kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Ai ishte i shqipëruar nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe politikani dhe sipërmarrësi Behgjet Pacolli, kompania e të cilit ka fituar një tender për të ndërtuar areaportin e ri në Jug të Shqipërisë.
Në një postim në Facebook ku ka shpërndarë edhe pamjet nga vizita në kantier, Rama u shpreh se Aroporti Ndërkombëtar i Vlorës “do të transformojë më tej industrinë e turizmit dhe do të rrisë ndjeshëm ekonominë e punësimin”.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Balluku vuri në dukje se ky aeroport do të ketë pistën më të gjatë në Republikën e Shqipërisë, prej 3.2 km, një kusht për kategorinë 4E të aeroportit.
“Ky është i vetmi aeroport në territorin tonë 4E që akomodon edhe fluturime transoqeanike. Volumet e trafikut gjatë 3 viteve të fundit janë shtuar konsiderueshëm pavarësisht pandemisë. Sot në Rinas, para fillimit të sezonit, kemi 58 fluturime në ditë”, tha ajo.
Ministrja theksoi se kontrata për dorëzimin është prill 2024 dhe besojmë se koncesionari do ta kapë afatin.
Ndërkohë, sipas saj, “paralel me ndërtimin, Aviacioni Civil do të vazhdojë gjithë procedurat për sa i përket lejeve dhe procedurave ndërkombëtare, njëlloj siç ndodhi me aeroportin e Kukësit”.
Balluku theksoi se e gjithë mbulesa e sipërme e terminalit do të jetë me panele diellore. “Llogaritet rreth 5.3 megavatorë prodhim energjie, i mjaftueshëm për mbulimin e nevojave të Aeroportit”, tha ajo.
Ndërkohë, Pacolli theksoi se në pikun e punimeve këtu pritet të punësohen 600-700 punonjës.
“Kemi kantierin me hapësira për konferenca, zyra, pika shëndetësore dhe laborator verifikimi të ushqimit. Po ashtu sigurojmë fjetjen për mbi 100 persona. Kemi vend për riparimin e automjeteve. Tani jemi në pikën kur të gjitha projektet janë gati. Ne kemi filluar me klasifikimin e nënkontraktorëve për panelet diellore e konstruksionet e hekurit”, tha Pacolli.
“Shumë shpejt do të ketë lëvizje të mëdha në kantier. Këtë vit kryejmë mbushjen e gjithë territorit të pistës që ndodhet nën nivelin e detit. Pista është zemra e aeroportit. Flitet për një aeroport që krahasohet me aeroportet më të mëdha në botë. I njëjti standard aplikohet sot në aeroportin e Nju Jorkut. Ky do të jetë aeroport i përkryer, me standardet më të larta”, shtoi ai.
Aeroporti i Vlorës pritet të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit dhe do të transformojë Jugun e Shqipërisë në një hotspot turistik.
Me veprimtarinë e Aeroportit të Vlorës, vendi do të përfitojë nga linjat me kosto të ulët që do të hyjnë në treg, si dhe do të nxisë investitorët për të zhvilluar aeroportin dhe infrastrukturën e turizmit në zonë.
/abc24.al/