Përgjatë fjalimit të tij në Kuvend mbi aktakuzat e Prokurorisë së Hagës, ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, kryeministri Edi Rama u ndal veçanërisht edhe te Ramush Haradinaj.
“Ramush Haradinaj la detyrën e kryeministrit në vitin 2005, pikërisht për t’iu përgjigjur thirrjes për akuza për krime të Tribunalit të Hagës dhe dy herë doli i pafajshëm dhe për herë të parë në historinë e Tribunalit të Hagës ndodhi që një person i shpallur i pafajshëm të shpallet në rigjykim pas apelimit, përkundër faktit që vite e vite me radhë prokuroria nuk gjeti fakte. Një i pafajshëm që 10 vite i jetoi me hijen e një persekutimi në kuptimin m të drejtë të fjalës, persekutim sepse dal i pafajshëm më thërret prapë, nuk provon asgjë dhe prapë më paragjykon. Padyshim komandant në një nga zonat më të ashpra të luftës, ish-kryeministër i zvarritur një dekadë për të dëshmuar që është pa lidhje me krimet kundër njerëzimit po thjesht ka udhëhequr një luftë, jo një marshim paqeje, ka humbur njerëz madje, ndërkohë që askush nuk merr asnjë përgjegjësi, fare, për gjithë këtë jetë të sakatuar, askush”, tha Rama.
Më tej, kryeministri u shpreh:
“Fëmijë që rriten me dilemën janë bij heronj apo kriminelësh, rriten duke pritur thirrjet e radhës për babanë, kjo ndjekje këmbakëmbës dhe kjo lloj ndjekje “ike nga kjo gjykatë po do të dalë një tjetër rrugës”. Një njoftim i papritur, ajo gjuhë që s’bëhet fjalë fare aty për të dyshuar, bëhet fjalë për dy mostra që u ka ardhur fundi, fund që për fat të keq gati sa nuk janë gati ta festojnë, mes shqiptarësh,. Këtu s’është fjala për Kadri, Hashim, po për diçka tjetër, është fjala për një fakt ndërkohë që në anë të këtij shteti të krijuar nga vullneti çlirimtar, asgjë e ngjashme nuk ka ndodhur në shtetin tjetër ku u orkestua pastrimi etnik. Si ka mundësi, ca është kjo? Janë 20 vite, një provë duhet të ishte gjetur, po t’i marrësh të gjitha fashikujt dhe të numërosh ato rreth kaq e rreth aq, ka të ngjarë që të dalin më shumë viktima nga dora e atyre që u ngritën për t’u çliruar sesa nga dora e atyre që u ngritën për të pastruar etnikisht një popull. Në praktikën ndërkombëtare kjo është e pashembullt dhe kjo është përgjigjja që unë kam marrë nga disa vendas dhe të huaj, flas për ekspertë të nivelit të lartë ndërkombëtar. Asnjë nuk më tha që ka një praktikë ndërkombëtare që mund ta integrojë tekstin e djeshëm.”
Shkruar nga: top-channel.tv