PS: Dorëzohet në Kuvend varianti final i hartuar nga Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore

0
Gjigandi

Është dorëzuar në Kuvend varianti final i hartuar nga Këshilli Politik, sa i takon Reformës Zgjedhore.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 1009, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Repubikës së Shqipërisë” përbën ndërhyrjen legjislative në ligjin zgjedhor me synim plotësimin dhe zbatimin e kushteve të dakordësuara në marrëveshjen politike të datës 5 qershor 2020, të nënshkruar ndërmjet mazhorancës qeverisëse dhe partive politike të opozitës jashtëparlamentare dhe asaj parlamentare.
“Një ligj zgjedhor, sado i arrirë në përmbajtjen e vet, nuk mund të realizojë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare në rast se mungon gatishmëria dhe vullneti politik i aktorëve pjesëmarrës në garë për një gjë të tillë. Po ashtu, edhe në rast se arrihet një vullnet i plotë politik nuk do të mund të realizohen zgjedhje sipas standardeve në rast se mungon një bazë ligjore koherente, e plotë dhe e saktë për organizimin e procesit elektoral në vend. Projektligji që po paraqitet për shqyrtim dhe miratim mundëson dakordësinë politike të palëve për rregullat e lojës në zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore të radhës, duke garatuar pjesëmarrjen e plotë të të gjithë aktorëve të jetës politike në Shqipëri”, shkruhet në relacion.
Më tej shtohet:
“Nga ana tjetër, ky konsensus ngrihet me propozime për përmirësime mbi një Kod Zgjedhor ekzistues, i cili është certifikuar nga organizmat ndërkombëtarë të specializuar në fushën e zgjedhjeve si Kod që respekton praktikat demokratike dhe legjislacionin ndërkombëtar të zgjedhjeve. Gjithsesi, në një sërë zgjedhjesh në Shqipëri janë paraqitur rekomandime për çështje dhe aspekte të veçanta që kanë nevojë për amendime dhe të cilat janë vendosur në planin e punës së Këshillit Politik, dhe të gjithë institucioneve të tjera vendimmarrëse në Shqipëri. Projektligji i paraqitur për shqyrtim dhe miratim përbën vetëm fazën e parë të procesit të dakordësuar me anëtarëve të Këshillit Politik për reformimin e bazës ligjore për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Projektligji i depozituar ka si premisë kryesore të tij realizimin e atyre ndërhyrjeve emergjente në Kodin Zgjedhor që realizojnë/refletojnë dakordësinë më të gjerë politike dhe mundësojnë besimin politik tek dy proceset zgjedhore të radhës, që do të zhvillohen me këtë bazë ligjore të ndryshuar. Palët politike pjesëmarrëse në Këshillin Politik kanë rënë dakord për të vijuar edhe fazën e dytë të reformimit të legjislacionit zgjedhor dhe ligjeve të tjera të lidhura me të, duke përcaktuar edhe modalitetet e realizimit të një detyrë të tillë. Për këtë gjë është rënë dakort që puna, mbi bazën e konseusit më të gjerë të spektrit politik në vend, të vijojë me hartimin e një ligji të ri zgjedhor, që do të reflektojë plotësisht rekomandimet e dhëna ndër vite nga OSCE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri. Ky proces do të plotësohet edhe nga nisma të tjera legjislative që janë po aq të nevojshme në Shqipëri si psh ligji i ri “Për partitë politike” dhe ligji i ri “Për financimin dhe kontrollin e financimit të partive politike”.
“Për herë të parë në tekstin e një Kodi Zgjedhor, pavarësisht se është një temë e diskutuar gjatë në publik, vendosen dispozita normative që kanë të bëjnë me votimin nga jashtë të shtetasve shqiptarë. Hartimi i tyre është bërë i tillë që të mundësojë fleksibilitet dhe përshtatshmëri për KQZ-në dhe strukturat përbërëse të saj të detajojnë praktikën, procedurën dhe mënyrën e votimit nga jashtë, ndërkohë që Kodi Zgjedhor parashikon çështjet themelore të këtij votimi. Gjithashtu, mbi bazën e dakordësisë politike është bërë ndryshimi i periudhës zgjedhore në të cilën mund të mbahen zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore në Shqipëri. Me anë të ndryshimeve në Kod ligjërisht hapet rruga dhe mundësohet që në zgjedhjet më të afërta të përdoret teknologjia në zgjedhje. Kodi parashikon që në zgjedhjet e ardhshme do të bëhet identifikimi elektronik i zgjedhësve në qendrën e votimit në të gjithë Shqipërinë dhe krijon hapësirën e nevojshme që KQZ të mund të ndërmarrë edhe projekte pilot për çështjet e votimit dhe numërimit elektronik. Kodi parashikon postin e Nënkomisionerit të zgjedhjeve si një funksion i dedikuar plotësisht përgatitjes së paketës së akteve nënligjore për këtë qëllim dhe më pas zbatimit të saj në praktikë për zgjedhjet e radhës.”

Shkruar nga: top-channel.tv

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu