Në Iran kanë shpërthyer protestat pas vendimit të papritur të autoriteteve për rritje të çmimit të naftës dhe racionalizimin e saj.
Çmimet u rritën me të paktën 50 për qind të premten. Autoritetet kanë thënë se kjo ngritje e çmimit vjen si pasojë e dëmtimit të ekonomisë së Iranit nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara. Irani është përballur me sanksione të rënda ndaj eksportit të naftës, pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018.
Mediat iraniane kanë raportuar për protesta të premten në mbrëmje në disa qytete të Iranit, duke theksuar se protestuesit kanë tentuar t’i vejnë zjarrin një depoje të naftës. Ndërkohë që akte dhune ka patur edhe të shtunën.
Sipas vendimit të ri, çdo shofer lejohet të blejë 60 litra naftë në muaj dhe çdo litër që e tejkalon atë njësi do të paguhet dyfish. Irani është ndër vendet me çmimin më të ulët të naftës në botë për shkak të rënies së valutës dhe po ashtu është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës me eksporte që arrijnë miliarda dollarë çdo vit. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rivendosur sanksionet kundër Iranit pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015.