Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha e ka quajtur një akt antikushtetues dhe precedent të rrezikshëm për vendin dhe demokracinë, propozimin e Partisë Socialiste për kandidatin për President.
Berisha përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se propozimi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare për postin e Presidentit të Republikës është një shkelje flagrante e Kushtetutës së vendit me pasoja të rënda për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.
Sipas tij, ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike.
“Një akt antikushtetues dhe precedent tepër i rrezikshëm për vendin dhe demokracinë. Të dashur miq, propozimi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare për postin e Presidentit të Republikës është një shkelje flagrante e Kushtetutës së vendit me pasoja shumë të rënda për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.
Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 167 përcakton:
‘Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike. Pjesëtarët e Forcave të Armatosura ose personat që kryejnë shërbim alternativ, gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe'”, ka shkruar ndër të tjera Berisha.
Ai po ashtu i bëri thirrje presidentit të Republikës, Ilir Meta të mbrojë Kushtetutën dhe të mos lejojë dhunimin e saj. /abc24.al/