Prodhuesi i veturave Peugeot, PSA, si një nga shumë kompanitë e veturave nëpër botë që janë goditur nga kriza e koronavirusit, ka njoftuar të hënën se gradualisht do të rifillojë prodhimin në fabrikat gjatë kësaj jave, shkruan agjencia Reuters.
PSA ka thënë se vala e parë e rifillimit të pjesshëm të aktivitetit industrial do të ndodhë nga 4 maj deri më 11 maj, ndërsa fabrikat franceze gradualisht do të rifillojnë nga 11 maj e tutje.
Kompania ka shtuar se duhet të forcojë masat shëndetësore dhe të sigurisë në fabrikat e prodhimit, si t’i kontrollohet temperatura e punëtorëve, të furnizohen me maska, gel hidro-alkoolik dhe syze mbrojtëse, e po ashtu të ketë distancë sociale mes stafit.