Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo thotë se NATO mbetet një ndër partneritetet më të rëndësishme strategjike në gjithë kujtesën e njerëzimit. Në komentet dje në Gjermani në 30-vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, shefi i diplomacisë amerikane tha se NATO ka ndihmuar miliona vetë të fitojnë lirinë dhe se aleanca vazhdon të ketë një rol kritik përballë rreziqeve që paraqesin qeveritë komuniste në botë. Komentet e zotit Pompeo pasojnë deklaratat e Presidentit francez, Emmanuel Macron se NATO është në “vdekje klinike”.
Duke folur në Lajpcig pas vizitës në një fshat të ndarë nga Perdja e Hekurt pas Luftës II Botërore, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se bashkëpunimi transatlantik kishte rëndësi kritike për shembjen e Murit të Berlinit 30 vjet më parë dhe mbetet me vlerë edhe sot.
“Ishim në këtë vend ku kombet që mbështesin vlerat demokratike kanë punuar me njëri-tjetrin prej kaq kohësh për të arritur atë që u realizua në 1989 dhe më pas me bashkimin e Gjermanisë në 1990. Punë e mrekullueshme për të sjellë lirinë dhe për të nxjerrë miliona nga një situatë shumë e vështirë. Mendoj se NATO mbetet një partneritet me rëndësi kritike, ndoshta partneriteti strategjik më i rëndësishëm në gjithë historinë e njohur të njerëzimit”.
Këto vlerësime për NATO-n nga zoti Pompeo pasuan komentet e presidentit francez në një intervistë për revistën The Economist, se aleanca transatlantike është në “vdekje klinike” dhe se Evropa nuk mund të mbështetet tek SHBA për vetëmbrojtje. Në një apel plot pasion drejtuar anëtarëve evropianë në NATO, zoti Macron thotë se “kontinenti i vjetër” është në buzë të humnerës dhe nëse nuk zgjohet, nuk do të arrijë më të kontrollojë fatin e vet.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se nuk ka të njëjtën pikëpamje me zotin Macron:
“Presidenti francez ka zgjedhur terma të rënda. Nuk e shoh ashtu bashkëpunimin në NATO. Nuk mendoj se analiza të tilla përgjithësuese janë të nevojshme, edhe nëse kemi probleme dhe kërkohet veprim”.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg tha se NATO mbetet e fortë:
“Mirëpres unitet mes partnerëve evropianë. Mirëpres përpjekjet për të forcuar mbrojtjen evropiane, por uniteti evropian nuk mund të zëvendësojë unitetin transatlantik”.
Vendimi i papritur i Presidentit Donald Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Siria, duke i hapur rrugën inkursionit ushtarak të një aleati tjetër, Turqisë, ka zgjuar pyetje lidhur me bashkërendimin e veprimeve mes aleatëve.
Një zëdhënëse për Ministrinë ruse të Mbrojtjes tha se komentet e zotit Macron ishin një analizë e saktë e gjendjes aktuale të NATO-s.
Gjatë fushatës zgjedhore, zoti Trump tha se NATO-s i kishte ikur koha. Ai ka akuzuar shpesh anëtarët evropianë se nuk përmbushin detyrimet financiare ndaj Aleancës për të shpenzuar 2% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen. Zoti Pompeo tha se komente të tilla dëshmojnë se presidenti është i interesuar ta mbajë Aleancën të fortë./VOA