Rritet tensioni për rendin publik në Tiranë pak orë para finales së “Conference League” mes Romës dhe Feyenoord. Pas përplasjeve të natës së shkuar, që çuan në arrestime të shumta, tashmë ka shumë shqetësim për infiltrimin e tifozëve të PAOK-ut të Selanikut dhe Fenerbahce, armiq të Feyenoord.
Policia shqiptare do të përpiqet të shmangë kontaktet mes tifozërive para, gjatë dhe pas ndeshjes. Ndërkohë, presidenti i Romës, Dan Friedkin është shprehur entuziast nga kryeqyteti shqiptar, ku ndodhet për të ndjekur nga afër skuadrën që financon: “Ne jemi të bindur se klubi mund të arrijë gjëra të mëdha”.
Presidenti i Romës, Dan Friedkin mori pjesë në drekën zyrtare të organizuar nga UEFA në Tiranë, në prag të finales së edicionit të parë të “Conference League”. Pas një fjalimi të shkurtër nga presidenti i Feyenoord, Toon van Bodegom, Dan Friedkin thuhet se bëri deklaratën si më poshtë, siç raportohet nga “Corriere dello Sport”:
“Është një gëzim i madh të marrësh pjesë në një finale. Ne jemi të bindur se Roma mund të vazhdojë të rritet dhe së shpejti do të arrijë gjëra të mëdha”.