Dy persona janë arrestuar ditën e sotme në Tiranë, pasi kanë marrë peng dhe kanë dhunuar fizikisht një qytetar.
Policia bën me dije se në pranga kanë rënë shtetasit Sh. K., 37 vjeç, D. Ç., 37 vjeçe, ndërkohë është shpallur në kërkim e bashkëpunëtori i tyre, shtetasit S. P., 30 vjeç.
Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi S. P., në bashkëpunim me shtetasin Sh. K. dhe shtetasen D. Ç., kanë marrë peng dhe më pas e kanë dhunuar fizikisht në banesën e shtetases D. Ç., shtetasin E. S., 31 vjeç, për shkak të një borxhi.
Ndërkohë mësohet se shtetasi Sh. K. kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.