Dy persona, njëri prej të cilëve përfaqësuesi i ‘Ndragheta-s’ në Shqipëri, janë arrestuar nga policia si pjesë e një operacioni ndërkombëtar për goditjen e grupeve mafioze në fushën e trafikimit të drogave të forta.
Në total janë të arrestuar 6 persona, ndërsa operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë në Shqipëri, Itali, Argjentinë e Costa Rica.
Nga policia shqiptare janë vendosur në pranga Bujar Sejdinaj i quajtur “Xhaxhai”, përfaqësuesi i Ndrangheta-s në Shqipëri dhe në zonën e Ballkanit dhe në veçanti përfaqësuesi i familjes mafioze “Bellocco”. Shtetasi B. S. ka marrë pjesë në blerjen e rreth 20 kg kokainë në Spanjë. Arrestimi i këtij shtetasi është bërë me qëllim ekstradimin.
Po në kuadër të operacionit është bërë dhe arrestimi në Elbasan, më 26 maj 2020, i shtetasit A. C., i cili ka qenë i shpallur në kërkim.
Në të njëjtën kohë në Argjentinë u bë arrestimi i shtetasve:
-F. S., korrier dhe njeri i besuar i Ndrangheta-s, i cili bënte lidhjen mes Amerikës së Jugut dhe Kalabrisë. Ky shtetas kryente për llogari të organizatës kriminale, detyra të ndryshme operative dhe transport të dokumenteve sekrete;
-G. P., lindur në Romë, me emrin M. P., me banim në Buenos Aires, ishte personi që bënte lidhjet midis furnizuesve të drogës të Amerikës së Jugut dhe familjeve mafioze italiane. Gjithashtu merrej dhe direkt me eksportin e substancave narkotike;
-F. P., lindur në Argjentinë, bashkëpunëtor i ngushtë i F. M., i cili u arrestua edhe në operacionin e kryer në nëntor 2019. Shtetasi F. P., falë rrjetit të tij të bashkëpunëtorëve në Argjentinë, merrej sidomos me anashkalimin e kontrolleve doganore dhe pastrimin e parave;
-Me bashkëpunimin e Interpol San Hoze në Costa Rica u arrestua në qytetin Jaco, shtetasi F. D., lindur në Velletri/Itali, bashkëpronar i një hoteli Casino në Costa Rica. Ky shtetas ishte vendosur në Costa Rica dhe ishte bërë pikë referimi për organizatat kriminale. Roli i tij ishte që të bënte të mundur dërgimin e kokainës në Itali, si dhe u siguronte anëtarëve të organizatës bazën logjistike dhe akomodimin në Costa Rica.