Përfaqësuesi i OBSH-së, David Nabarro ka paralajmëruar se kriza nga koronavirusi do përkeqësohet edhe më shumë gjatë 6 muajve të ardhshëm dhe se liderët botërorë duhet të punojnë së bashku, për të gjetur zgjidhje.
“Jam vërtet i trishtuar. Bota po përballet me një krizë masive shëndetësore për gjashtë muajt e fundit dhe kam frikë se do të përkeqësohet edhe më shumë në gjashtë muajt e ardhshëm”, tha Nabarro për BBC Radio 4.
Ai tha se është për të ardhur keq që SHBA ka hequr buxhetin për OBSH.
“Do të ketë një ndikim buxhetor. OBSH-ja është e financuar me një të tretën e buxhetit të Qendrave Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve dhe po funksionon mirë. Por çështja më serioze është se të gjithë liderët botërorë dhe të gjitha vendet e botës duhet të punojnë së bashku për të trajtuar këtë virus dhe tërheqja e SHBA-së nuk është ajo që i duhet njerëzve në këtë periudhë”, tha Nabarro.