Ylli i Atletico Madridit, Saul Niguez, thotë se fitorja e Liverpoolit në Ligën e Kampionëve nuk ishte udhëtimi më i vështirë me të cilin ai është përballur gjatë kohës së tij me klubin madrilen, përderisa e ka kujtuar ndeshjen e vitit 2016 kundër Bayern Munichut.
Skuadra e Diego Simeones e mposhti Liverpoolin me rezultat 3:2 pas kohës shtesë në ndeshjen kthyese të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve në Anfield, duke e eliminuar kështu kampionin në fuqi të Evropës nga gara.
Goli i shënuar nga Georginio Wijnaldum në pjesën e parë të ndeshjes bëri që fituesi të vendoset në kohën shtesë. Roberto Firmino e dyfishoi epërsinë e anglezëve vetëm katër minuta pasi filloi koha shtesë, që bëri që tifozët vendas ta festojnë atë gol si fitore.
Megjithatë, festa s’u zgjati shumë pasi që Atletico Madridi e përmbysi rezultatin falë dy golave të shënuara nga Marcos Llorente dhe një gol të shënuar afër fundit nga Alvaro Morata, për ta fituar përballjen me rezultat të përgjithshëm 4:2. Por, Saul Niguez thotë se ai kishte përjetuar edhe udhëtime më të vështira në karrierë.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por ne e dinim se do të ishte e tillë”, ka thënë Saul, në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të Atletico Madridit.
“Që të jem i sinqertë, nuk ishte ajo ndeshja në të cilën vuajta më së shumti. Nuk e ndieja asnjëherë se nuk po luanim mirë”.
“Për shembull, e mbaj mend ndeshjet kundër Bayernit në Gjermani në vitin 2016. Unë me të vërtetë vuajta në atë ndeshje, mendova më vete se s’do të mundë të dilnim gjallë nga aty”.
“Përderisa në Anfield, unë kisha shumë besim në skuadrën tonë, mendoja se po bënim punë të mirë”.